Botë

“Save the children”: fëmijët sirianë në gjendje të “stresit toksik”

07.03.2017 12:53

Lufta në Siri mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme në shëndetin mendor të fëmijëve sirianë...

Lufta në Siri mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme në shëndetin mendor të fëmijëve sirianë, gjë që mund të rrezikojë një gjeneratë të tërë.
 
Në bazë të një studimi të kryer së fundmi nga organizata “Save the children”, miliona të mitur mund të vuajnë nga gjendja e njohur si “stresi toksik”, një çrregullim që vjen si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj ngjarjeve të tmerrshme të luftës.
 
Që prej nisjes së konfliktit në vitin 2011, afro 2.3 milionë fëmijë sirianë janë larguar nga banesat e tyre. 
 
Ndërkohë, një fakt shqetësues është se mbi 3 milionë fëmijë që kanë lindur pas nisjes së konfliktit, nuk kanë njohur një gjendje tjetër, përveçse luftës. Kjo është edhe shtresa më e lëndueshme e fëmijëve që janë bllokuar në një situatë të tmerrshme, jo për faj të tyre.
 
Sipas organizatës, në rast se këta fëmijë nuk do të marrin një trajtim të shpejtë shëndetësor, mund të kenë dëme përgjatë gjithë jetës së tyre. “Save the children” ka marrë në shqyrtim 450 fëmijë nga shtatë distrikte të Sirisë.
 
Tek ata janë vënë re një sërë problemesh, si tentimi i vetëvrasjes, vetëdëmtimit, sjellja agresive si dhe mërzia e theksuar. Gjithashtu, një problem shqetësues, i cili tregon për gjendjen e tyre të rënduar psikologjike, është urinimi në mënyrë të pavullnetshme.
 
Nga të dhënat e grumbulluara mësohet se kjo dukuri ishte e pranishme tek 71% e fëmijëve të intervistuar.
 
Ekspertët shprehen se ky është një tregues mjaft shqetësues. Në këto kushte, organizata “Shpëtoni fëmijët” u ka bërë thirrje faktorëve kryesorë ndërkombëtarë që të ndërhyjnë me urgjencë pasi pasojat e kësaj lufte fëmijët e tanishëm do t’i bartin gjithë jetën.