Maqedoni
Arsim, shqiptarët festojnë Ditën e Mësuesit
07.03.2017 13:00
Vandalizimi i objektit të Kongresit të Alfabetit nuk i ndalë shqiptarët kudo që janë të festojnë sot 130 vjetorin...

Vandalizimi i objektit të Kongresit të Alfabetit nuk i ndalë shqiptarët kudo që janë të festojnë sot 130 vjetorin e hapjes së shkollës së pare shqipe në Korçë.
Hapja e shkollës së parë shqipe, më 7 Mars 1887 në Korçë, ishte kurorëzim i suksesshëm i një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare për arsimim në gjuhën amtare.
Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi. Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit, “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar.
Tekstet e përdorura në shkollë, si: abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. Si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike. Shkolla pati ndikimin e vet jo vetëm në Korçë, por në të gjitha trojet shqiptare.
Vetëm 7 ditë pas saj, u hapën shkolla shqipe në qytetin e Pogradecit, në Ersekë e në Ohër, si dhe u shtuan përpjekjet për çeljen e tyre në krahinat e tjera.
Përhapja e mësimit të gjuhës amtare pas çeljes së Mësonjëtores shqipe të Korçës, bëri që shkolla të hynte në histori si pionierja e arsimit tonë kombëtar dhe dita e çeljes së saj të bëhet festë kombëtare.
Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet.
Çdo vit, 7 Marsi festohet në të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha hapësirat shqiptare, përfshi edhe ato në Maqedoni, me ç’rast në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri organizohen manifestime të ndryshme, siç është edhe akademia solemne në Universitetin e Tetovës, apo manifestimi në Universitetin “Nën Tereza” në Shkup.
