Botë
Nishani, vizitë në Luginën e Preshevës
07.03.2017 13:34
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, do të vizitojë sot Luginën e Preshevës...

Vizita e Nishanit bëhet me ftesë të kryetarit të Bujanocit, Shaip Kamberit, ndërsa ai do të vizitojë edhe Preshevën.
Nishani është presidenti i parë i Shqipërisë që viziton Serbinë, pas Enver Hoxhës më 1948.
Në prag të vizitës, mediat serbe cituan kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliun, të ketë thënë se Nishani “vjen për të parë kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi", marrë parasysh se "për shqiptarët, me Kushtetutë të Shqipërisë, duhet të përkujdeset shteti amë”.
Por, kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se Musliu “po nxit konflikte atje ku nuk ka” dhe se në Ballkan “sërish po zgjohet politika shqiptaromadhe”.
Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se nuk prêt “tensione të reja gjatë vizitës së paralajmëruar të presidentit të Shqipërisë në jugun e Serbisë”.
Stefanoviq në përgjigje të pyetjes nëse vizita e presidentit të Shqipërisë mund të shihet si “mundësi e tensioneve të reja”, ka thënë se shpreson se nuk do të ketë provokime”.
“Mysafirët tanë ndjehen të mirëseardhur në Serbi, pavarësisht nëse na pëlqen ajo që kanë për të thënë. Ata në territorin e shtetit tonë janë të sigurt”,- tha Stefanoviq.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, tha para dy ditësh se Bujar Nishani do të ketë një numër takimesh me shqiptarët në Bujanovc e Preshevë, por jo edhe me përfaqësuesit e Beogradit zyrtar, të cilën e arsyetoi me faktin se në Serbi ka “nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale”.
