Maqedoni
Ivanov letër ndërkombëtarëve: Jo Platformës Shqiptare, rrezikon Maqedoninë
07.03.2017 15:40
Në prag të takimit të Këshillit të Europës, presidenti, Gjorge Ivanov, i ka njoftuar anëtarët dhe kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Task...

Në prag të takimit të Këshillit të Europës, presidenti, Gjorge Ivanov, i ka njoftuar anëtarët dhe kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Task, sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe presidentët e ShBA-ve dhe Turqisë, Donald Tramp dhe Rexhep Taip Erdogan, për situatën aktuale në vend.
Në letrën e presidentit Ivanov, midis tjerash, thuhet se Maqedonia në vend se të dalë nga kiza politike, gjendet në krizë të thellë për shkak të platformës së partive shqiptare, e cila sipas Ivanov u miratua në Tiranë dhe e cila u bë kusht për formimin e qeverisë së re.
“Tre nga partitë parlamentare të shqiptarëve etnikë në RM, me 18 nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend, nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrit të tij të Punëve të Jashtme në Tiranë, krijuan platformë për shqiptarët në RM. Platforma e Tiranës u bë parakusht për formimin e Qeverisë në RM. Platforma është dokument paszgjedhor, i miratuar në shtet tjetër, në kabinet të burrështetasit të huaj dhe me ndërmjetësim të kryeministrit të një shteti të huaj. Me këtë platformë kanoset sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e çuar RM-në në pozitë të nënshtruarit apo vartësie ndaj një shteti tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutën e RM-së me të cilat do të kërcënohej karakteri unitar i shtetit, rrezikohet Marrëveshja e Ohrit, plotësisht destabilizohet gjendja e brendshme politike dhe rriten tensionet ndëretnike në RM”,- qëndron në letrën e Ivanovit.
Ivanov rikujton se ka vendosur që mos i ndajë mandat për formimin e qeverisë çdonjërit i cili negocion për platforma të shteteve të tjera, me të cilën nënçmohet karakteri unitar, sovraniteti dhe pavarësia e shtetit. Ivanov thekson se ka kërkuar nga komisioneri për zgjerim, Johanes Han, dhe shefja e Diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, që publikisht të dënojnë platformën.
“Si president i RM-së, detyrë e imja kushtetuese është ta respektoj Kushtetutën dhe ligjet, dhe ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e RM-së. Për të gjitha këto gjëra personalisht e informova komisarin Han dhe përfaqësuesen e lartë, Mogerini. Prej tyre kërkova qartë dhe publikisht ta dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën, si akt të përzierjes në punët e brendshme të një shteti sovran”,- tha Ivanov.
Ivanov ka shtuar se pret angazhimin dhe ndihmën e Europës dhe ShBA-ve, NATO-s dhe Turqisë, në të kundërtën çdo heshtje vetëm se do të inkurajonte tendencat e njëanshme jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Europë.
MERAL ISMAILI
