Maqedoni

Sllupçan, Sh. F. “Faik Konica” me ndërtesë të re për 7 Mars

07.03.2017 16:02

Shkolla Fillore “Faik Konica” në fshatin Sllupçan, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka përuruar objektin e ri shkollor...

Bëhet fjalë një projekt - donacion nga  Fondacioni  ALBIZ së bashku me kompanitë donatore në kuadër të Platformës edukativo-arsimore të Fondacionit. Vlera e projektit në fjalë kap shumën prej rreth 100.000 euro. Objekti është i shtrirë në sipërfaqe prej 400 m2, duke përfshirë  6 mësonjëtore, 1 kabinet si dhe 1 depo.
 
“Kjo godinë është e dedikuar për Shkollën Fillore “Faik Konica”, kryesisht për nxënësit e klasave të para. Për këtë vendbanim dhe për komunën e Likovës është një ndihmë e madhe ku kanë investuar në gjeneratat e ardhshme”- tha kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku. 
 
“Janë 15 kompani themelues të këtij fondacioni dhe një pjesë e punës sonë si fondacion është edhe investimi në arsim. Vitin e ardhshëm në planprogram kemi edhe projekte tjera për disa shkolla”,- theksoi kryetari i Fondacionit ALBIZ, Nexhat Shahini.
 
“Në fillim do fillojmë me klasat e para, pastaj do e shohim në bazë të kushteve se si do veprojmë. Objekti i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme si dhe është në qendër të fshatit”,- u shpreh drejtori i Sh. F. “Faik Konica”, Nagib Avdiu.
 
Shkolla do t’i jepet në përdorim komunës së Likovës për nevojat e saj, si donacion i Fondacionit ALBIZ. Kjo festë e rrallë u pasurua edhe me një program të përgatitur nga nxënësit e shkollës me kënge, valle dhe recital. 
 
NEXHAT AQIFI