Maqedoni
Rasti “Kumanova”, Elshani dhe Kafexholli: Na kanë keqtrajtuar edhe para gjykatëses
07.03.2017 16:08
Fadil Elshani dhe Esat Kafexholli janë dy të akuzuarit që i dhanë dëshmitë e tyre para trupit gjykues...

Edhe ata ripërsëritën se motivi i ardhjes në Maqedoni ka qenë mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë seancë u nxor në dritë edhe një moment i ri. Elshani dhe Kafegjolli pohuan se janë keqtrajtuar edhe para gjykatëses, Sllavica Andreeva, në Gjykatën Themelore, në procedurën hetuese.
“Dhuna ka ndodhur para gjykatëses së Gjyqit Themelor te gjykatësja paraprake që e ka udhëhequr këtë lëndë, Sllavica Andreeva. Ne kemi reaguar në ato momente te institucionet kompetente, por nuk kemi bërë padi penale, pasi tani është hera e parë që ceket prej dy të akuzuarve, që edhe në prezencë të gjykatëses është zhvilluar dhuna kundër tyre”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Dy të akuzuarit thanë se nuk kanë qenë në dijeni për ndonjë konflikt, pasi që nuk kanë pasur plan për të luftuar, por arsyeja e ardhjes ka qenë komunikata që duhej të shpallej.
Esat Kafexholli kërkoi që gjykata të zbardh rastin pasi ata i ka sjellë dikush në Maqedoni. Por, në pyetjen e prokurorit: “kush ju ka sjellë, cilët janë ata persona?”, Elshani dha këtë përgjigje: “ata që na kanë përcjellë rrugës. Nuk i njoh!”.
Avokati Raufi thotë se në plotësim të dokumentacionit dëshmues do të caktohen diku rreth 50 dëshmitarë që janë të involvuar në këtë ngjarje penale, por ende është herët për të përmendur emra konkretë.
SANIJE DURAKU
