Maqedoni

Ambasadori Reka: Bashkëjetesa - fati i RM-së, ruani gjakftohtësinë

07.03.2017 16:44

Ambasadori shqiptar, Fatos Reka, ka dënuar sulmin ndaj Muzeut të Alfabetit në Manastir...

Ai pret që institucionet e rendit të marrin masa dhe të dënojnë fajtorët. Sipas ambasadorit Reka, bashkëjetesa është fati i Maqedonisë dhe të gjithë duhet të ruajnë gjakftohtësinë për të tejkaluar problemet artificiale që shfaqen herë pas here. 
 
“Organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre për kapjen sa më shpejtë të keqbërësve dhe ata të marrin dënimin e merituar, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së RM-së. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë shumë afër etnive dhe popujve tjerë që jetojnë në Maqedoni, bashkërisht ky ka qenë fati dhe destini i tyre që të jetojnë në këtë vend kaq të bukur dhe të mirë, dhe shpresojmë që me gjakftohtësi dhe kujdes do të zgjidhen të gjitha këto çështje të cilat krijojnë probleme artificiale. Po ashtu edhe popujt në Maqedoni duhet të dinë se tek RM-ja e Shqipëria kanë mikun e tyre më të mirë, i cili e do të mirën e këtij vendi, që sa më shpejtë të përfaqojë dhe të vazhdojë proceset në rrugët e proceseve integruese dhe euroatlantike për të qenë pjesë e familjes europiane”,- deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka.
 
Edhe përkundër këtij incidenti, ambasadori Reka ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit në Maqedoni për përpjekjet e tyre që t’i mësojnë fëmijët shqiptarë dhe i ka ftuar që të vazhdojnë me këtë misionin e tyre fisnik.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI