Maqedoni
Porositë e faktorit ndërkombëtar, Arsovski: për zbatim duhet vullnetit politik; Akuzat për deklaratën, Selmani: ndërkombëtarët e dinë çfarë mendojnë shqiptarët
07.03.2017 17:01
Politikanët vendas në mënyrë të përkryer e kuptojnë porosinë e bashkësisë ndërkombëtare...

Politikanët vendas në mënyrë të përkryer e kuptojnë porosinë e bashkësisë ndërkombëtare, por disa prej tyre kanë vendosur ta injorojnë atë.
Kështu vlerëson analisti politik, Petar Arsovski, i cili nënvizon mungesën e vullnetit politik për të implementuar rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare për dalje nga kriza politike.
“Bashkësia ndërkombëtare në periudhën e fundit ishte mjaft eksplicite lidhur me atë se çfarë presin që të ndodhë në Maqedoni. Të jepet mandati, sa më shpejtë të formohet qeveria dhe të dilet nga kriza. Por, disa nga aktorët politikë të vendit vendosin që atë porosi ta injorojnë dhe të qasen me një retorikë ksenofobie, e cila është orientuar para së gjithash edhe kundër përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Kështu që nuk qëndron problemi te komunikimi midis bashkësisë ndërkombëtare dhe aktorëve politikë vendas, por në vullnetin politik që ajo porosi të zbatohet”,- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
Nga ana tjetër, profesori universitar, Bashkim Selmani, sqaron se platforma e miratuar nga subjektet shqiptare nuk është gjeneza e krizës politike.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare mirë e ka kuptuar sjelljen e shqiptarëve në këtë shtet.
“Nuk është arsye platforma, por është vetëm një shkëndi me të cilën është kapur VMRO pa asnjë të drejtë, për arsye se problemi shqiptar është me shekuj dhe problemi shqiptar do të vazhdojë edhe më tutje në rast se VMRO do të sillet në këtë mënyrë. Unë besoj se faktori ndërkombëtar deri më tani ka identifikuar se shqiptarët janë të interesuar për bashkëjetesë dhe për një Maqedoni të përbashkët”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, Ivanov me vendimin e tij ka rrënuar të gjitha parimet europiane dhe investimet që janë bërë në rrugën euroatlantike të Maqedonisë.
Ai beson se kësaj radhe faktori ndërkombëtar do të jetë më energjik dhe do të kërkojë veprime konkrete nga klasa politike në vend.
NAIM RAMADANI
