Maqedoni

Komunikimi i mirë nxënës-mësues arrihet vetëm me respekt të ndërsjellë

07.03.2017 17:12

Mungesa e komunikimit, arroganca, rezistenca ndaj çdo gjëje që thonë nxënësit dhe anasjelltas...

Mungesa e komunikimit, arroganca, rezistenca ndaj çdo gjëje që thonë nxënësit dhe anasjelltas, janë disa prej problemeve me të cilat përballen nxënësit dhe profesorët në komunikimin e tyre të përditshëm.
 
Nxënësit pranojnë se jo çdo mësues ka marrëdhënie korrekte ndaj tyre dhe kërkojnë që të  punohet më tepër në përmirësimin dhe afrimin e raporteve mes mësuesve dhe nxënësve. 
 
“Jo çdo mësimdhënës e ka atë qëndrimin e njëjtë ndaj nxënësve. Ka mësimdhënës të cilët nxënësit ndjehen shumë ngrohtë me të, mirëpo ka dhe prej tyre të cilët nuk tregojnë afërsi shumë me nxënësit. Kanë raporte shumë më të ftohta me nxënësit dhe mendojmë se kjo është ajo që na shqetëson, sigurisht që duhet diskutuar më tepër me këta mësimdhënës dhe të ndërmerren masa që kjo metodë e komunikimit të ndryshojë”,- deklaroi kryetarja e Unionit të nxënësve shqiptarë, Majlinda Çilafi.
 
“Mendoj se duhet punuar pak më shumë me profesorët se sa me nxënësit, pasi që nxënësit çdoherë kërkojnë, por profesorët me sjelljet e tyre nuk arrijnë që ne të na kuptojnë”,- theksoi nxënësi i ZLM-së, Valon Ejupi.
 
Nuk ka dyshim se problemi është i treanshëm, sqarojnë profesorët për TVM-2. Ata thonë se për të arritur komunikim më të mirë, në procesin edukativo-arsimor duhet të kyçen edhe prindërit e nxënësve dhe të mundësohen kushte më të mira të punës. 
 
“Do t’i kisha përmendur si probleme kyçe kushtet e punës, mendoj që në bazë të kushteve të punës edhe komunikimi do të jetë më i suksesshëm dhe numri i nxënësve nëpër klasa. Normal, nëse numri i tyre është i madh, edhe komunikimi do të jetë pak më i vështirësuar, dhe pavarësisht nga mosha e nxënësve, komunikimi do të ndryshojë”,- potencoi profesori në Sh. M.”Arseni Jovkov”, Enver Ajdini.
 
“Duhet të kihet parasysh profesionalizmi në vend të parë, pastaj vijojnë të gjithë ato që duhet plotësuar, atë profesionalizëm për të arritur suksese më të mëdha. Fakt është se ndikojnë shumë faktorë që të jetë ajo në nivel, por nuk duhet të mungojë asnjëherë trekëndëshi pedagogjik, nxënës-prind-mësues”,- deklaroi profesori në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Naser Miftari.
 
Pjesëmarrësit në debatin e organizuar nga UNSh thanë se vetëm me ndërveprim, komunikim korrekt dhe afërsi reciproke mund të arrihen rezultate më të mira në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
 
REXHEP QAMILI