Maqedoni

7 Marsi, mësuesit: Gjeneratat ndryshojnë, por pasioni i mësuesve jo; nxënësit: Falënderojmë mësuesit, jemi krenarë me ta

07.03.2017 17:14

Në të gjithë trojet shqiptare festohet 7 Marsi, dita e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë...

Por, kohët kanë ndryshuar që nga viti 1887. Mësuesit thonë se gjeneratat kanë ndryshuar shumë dhe bashkë me ketë ndryshim është zbehur edhe respekti i dikurshëm ndaj mësimdhënësve. Por, me gjithë ndryshimin e kohës, mësuesit e përkushtuar nuk do të donin ta ndryshonin profesionin e tyre. 
 
“Kur kam qenë unë nxënëse nuk guxonim ta përmendim 7 Marsin si ditë të mësuesit, se dita e arsimtarëve shqiptarë ka qenë. Por, tani është tjetër, edhe fëmijët e ndjejnë si ditë të shenjtë të arsimit shqip. Shumë kanë ndryshuar, nuk janë ato gjenerata të cilat kanë pasur një respekt shumë të madh për arsimtarëve, por me fjalën demokraci po mendojnë se mund të bëjnë çka të duan. Unë në arsim punoj 30 vite”,- deklaroi mësuesja, Teuta Ramadani.
 
“Jam një ndër gjeneratat që dikur mora ditarin vullnetarisht edhe pa pagë të punoj. Unë jam gjenerata e tretë në familje. Rrjedh prej një familjes veteranësh të arsimit dhe sigurisht se edhe fëmijëve të mi do ia preferoja këtë profesion”,- u shpreh mësuesja, Fitore Qirezi.
 
Mësuesja e mirë njihet nga gjeneratat e nxënësve që nxjerr. Dhe mbresat që mësuesi le te fëmijët, shihen edhe në dëshirën që këta fëmijë të bëhen mësues në të ardhmen. 
 
“Unë dua të bëhem mësues i muzikës”,- tha një nxënës. 
 
“Mësuesen time e falënderoj. Është një ditë e veçantë. Krenare jam me mësuesen time dhe dëshiroj të jem njëjtë si ajo”,- theksoi një nxënëse.  
 
“Shumë gjëra kam mësuar nga mësuesja, nuk mundem t’i numëroj, sepse shumë gjëra të mira më ka mësuar”,- u shpreh një nxënës.  
 
Shkollat e Çairit ndanë gëzimin e tyre me të gjithë vizitorët e Çarshisë së Vjetër, të cilëve përmes një program të pasur artistik iu treguan se çfarë u kanë mësuar mësuesit e tyre dhe shprehën falënderimin për ta në këtë ditë të shkollës shqipe. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ