Maqedoni

Manastir, tentohet t’i vihet flaka Muzeut të Alfabetit

07.03.2017 17:50

Katër persona të maskuar kanë tentuar t’ia vënë flakën shtëpisë së Alfabetit në Manastir...

Në pamundësi të arrijnë qëllimin e tyre kryesor, agresorët kanë thyer xhamat e ndërtesës, kanë vizatuar muret dhe trotuarin para saj.
 
Policia e Manastirit ka mbërritur në vendngjarje pas alarmimit nga drejtuesit e muzeut dhe ka marrë pamjet nga kamerat e sigurisë dhe një shishe molotovi të cilave do t’u bëhet ekspertiza kriminalistike në Shkup, me qëllim që të mund të sigurojnë provat e nevojshme për kryerësit e veprës. 
 
Nuk është ky 7 Marsi i parë në të cilin tentohet dëmtimi i Shtëpisë së Alfabetit. Edhe më herët, shtëpia dëshmi për historinë e gjuhës shqipe është demoluar dhe ka përjetuar thyerje dyersh e xhamash dhe parulla antishqiptare në muret e saj. Por, me gjithë hetimet nga policia, fajtorët asnjëherë as nuk janë gjetur e aq më pak nuk janë dënuar. 
 
Nuk kanë munguar as reagimet politike. VMRO-DPMNE ka dënuar incidentin me demolimin e Shtëpisë së Alfabetit. 
 
“Ky incident është tentim i disa skenaristëve të shkaktojnë defokusim nga zhvillimet aktuale politike në shtet. Apelojmë që mediat të mos e shfrytëzojnë këtë ngjarje dhe të bien nën manipulime, të cilat dikush dëshiron t’i shkarkojë në opinion, sepse pikërisht ky është edhe qëllimi i tërë kësaj strukture, e cila edhe në të kaluarën ka tentuar që incidenteve të caktuara t’u jep konotacione politike”,- thuhet në komunikatën e VMRO-së, nga e cila kërkojnë zbardhjen e rastit dhe dënimin e autorëve. 
 
Nga LSDM, ndërkohë, thonë se dhuna nxitet nga vetë kreu i VMRO-së, i ndihmuar nga presidenti i shtetit. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në takimin me ambasadorët: Althauzer, Garet, Stefanson dhe Plomp, ka deklaruar se: “Gjorge Ivanov shkakton krizë kushtetuese dhe i le hapësirë Nikolla Gruevskit për provokime dhe dhunë, me qëllim të pengojë transferimin e qetë të pushtetit të cilin e humbi. E patjetërsueshme është që Ivanov menjëherë ta japë mandatin për formimin e Qeverisë së re në Maqedoni në interes të qytetarëve dhe shtetit”,- ka thënë Zaev. 
 
Kanë reaguar edhe paritë shqiptare. Lëvizja BESA thotë se ky akt qyqar dhe kjo gjuhë e urrejtjes kundër shqiptarëve nuk i kontribuon aspak bashkëjetesës dhe kohezionit ndëretnik në Maqedoni, si një shoqëri multietnike. 
 
Edhe “Aleanca për shqiptarët” konsideron se “sulmi ndaj Shtëpisë së Alfabetit është sulm qyqar ndaj gjuhës shqipe, ndaj kulturës, ndaj traditës dhe ndaj identitetit kombëtar shqiptar”.
 
BESIM ABDULLAI