Maqedoni
Lsdm kërkon mandatin, BDI akuzon Ivanovin se provokon urrejtje ndëretnike
07.03.2017 18:05
Gjorge Ivanov vazhdon të kushtëzojë dhënien e mandatit me kundërshtimin e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare...

LSDM vlerëson se Ivanov, me deklaratat e vazhdueshme dhe së fundmi edhe me letrën drejtuar ndërkombëtarëve, kërkon të “lajë” veten. Selia blu në Shkup kërkon nga Ivanov që të respektojë kushtetutën dhe t’i ndajë mandatin Zoran Zaevit, që të mund të bisedohet për programin qeveritar.
“Ne punojmë edhe variante që do të pasojnë, por më me rëndësi është që Ivanov të mbushet me mend dhe ta ndajë mandatin, dhe kështu të plotësojë autorizimet e tij kushtetuese. Kjo paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të kushtetutës, shkelje të rendit kushtetues, prandaj ftojmë z. Ivanov të bëjë çdo gjë që ta ndihmojë Maqedoninë të dalë nga kjo krizë. Ne do të bëjmë çmos që në bazë të legjitimitetit juridik, në bazë të mundësive kushtetuese ta fitojmë mandatin nga Ivanov dhe të formohet qeveria e re reformuese”,- deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.
Edhe BDI, pjesë e shumicës së re parlamentare, vlerëson se presidenti Ivanov po rrezikon rendin kushtetues. Nënkryetarja e kësaj partie, Teuta Arifi, thotë për Alsat-M se me keqinterpretimin e deklaratës së përbashkët Ivanov nxit urrejtje ndëretnike.
“Mendoj se tendenca për ta vendosur këtë platformë si element të provokimit dhe urrejtjes etnike të maqedonasve karshi shqiptarëve, sipas meje është një papërgjegjësi serioze politike dhe kushtetuese, sepse në këtë mënyrë rrezikohet rendi kushtetues i Maqedonisë”,- tha Teuta Arifi nga BDI.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE, partia amë e presidentit të Republikës, ndan qëndrimin e njëjtë me Ivanovin. Sipas partisë së Gruevskit, platforma është dokument postzgjedhor, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të parë nëse Platforma do marrë mbështetje në zgjedhje ose jo.
“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mund të mbaheshin së bashku me zgjedhjet lokale, janë zgjidhja më e mirë për të dalë nga situata aktuale. Shteti nuk do të ketë shpenzime të shumta shtesë, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi që të shprehen rreth platformës së Tiranës, e cila u vu në tryezë pas zgjedhjeve të dhjetorit”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Pretendenti për mandatar, Zoran Zaev, i ka vazhduar takimet me përfaqësues të korit diplomatik në vend. Në takimin me ambasadoren e Gjermanisë, atë të Mbretërisë së Bashkuar, ambasadorin e Suedisë dhe atë të Holandës është konstatuar se proceset demokratike duhet të vazhdojnë dhe të formohet qeveria e re reformuese.
SHPËTIM NUREDINI
