Botë
ShBA, sistem mbrojtjeje nga raketat e Koresë, reagojnë Rusia dhe Kina: Prish balancën e sigurisë
07.03.2017 19:01
Një ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi katër raketa balistike në detin e Japonisë, ShBA-të kanë nisur dislokimin e një sistemi të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut...

Sistemi do të jetë gati për veprim në muajin prill. Por, ky veprim ka hasur në kundërshtime edhe brenda Koresë së Jugut, ku banorët besojnë se ky sistem do të bëhet shënjestër e sulmeve. Edhe Kina dhe Rusia e kanë kundërshtuar këtë veprim, duke theksuar se ai do të ndikojë në balancat e sigurisë rajonale. Lëshimi i raketave balistike u mbikëqyr nga vetë lideri koreano-verior, Kim Jong Un.
Ato janë testuar në përgjigje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes ShBA-së dhe Koresë së Jugut. Pas veprimeve të Koresë së Veriut, Uashingtoni, Seuli dhe Tokio shtuan kontaktet mes tyre për të diskutuar për veprimet e mëtejshme. Përshkallëzimi i tensioneve me Korenë e Veriut pritet të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një mbledhje të jashtëzakonshme të mërkurën.
