Turqia, Rusia dhe ShBA-ja biseduan për bashkëpunimin në luftën kundër IS-it
Shefat e shtabeve të ushtrive turke, ruse dhe amerikane janë takuar më 7 mars në jug të Turqisë...

Shefat e shtabeve të ushtrive turke, ruse dhe amerikane janë takuar më 7 mars në jug të Turqisë, ku kanë biseduar se si të rrisin koordinimin në Siri, me qëllim që të parandalojnë përleshjet ndërmjet grupeve rivale, të cilët që të gjithë luftojnë kundër militantëve të “Shtetit Islamik”.
Takimi i shefave të ushtrisë turke, ruse dhe amerikane erdhi në kohën kur koalicioni që udhëhiqet nga ShBA ka shënuar përparim ndaj IS-it në Siri.
Turqia, Rusia dhe ShBA-ja janë duke luftuar kundër IS-it, edhe pse mbështesin palë të kundërta në konfliktin sirian.
Zëdhënësi i shefave të përbashkët të personelit të ShBA-së, Greg Hicks, tha se diskutimet tripalëshe në Antalia u fokusuan në “masat shtesë” për të rritur efektivitetin e luftës kundër grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak.
“Gjatë takimit, palët kanë biseduar për çështjet e sigurisë rajonale në Siri dhe Irak me përpjekjen që të rritet efektiviteti kundër të gjitha organizatave terroriste dhe me rëndësinë e masave shtesë për operacionet dekonfliktuoze”,- thuhet në deklaratën e Hicks.
Kryeministri turk, Binali Yildirim, ka thënë se bisedimet kishin për qëllim rritjen e koordinimit në Siri, në mënyrë që të parandalohet rreziku i “përplasjeve të padëshiruara”, duke pasur parasysh numrin e madh të shteteve që operojnë në Siri.
