Botë
Wikileaks: CIA përgjon kudo, edhe nga televizorët
08.03.2017 13:39
Wikileaks publikoi detaje të atyre që pretendon se janë mjete sulmi kibernetik të përdorura nga CIA...

Në këto armë kibernetike thuhet se përfshihen edhe viruse që shënjestrojnë kompjuterët me sistemet operative Windows, Android, iOS, OSX dhe Linux, si dhe ruterat e internetit. Wikileaks raporton se disa prej këtyre programeve pirate janë ndërtua nga vetë CIA, ndërsa dyshohet se shërbimi i inteligjencës britanike MI5 ka ndihmuar në ndërtimin e një virusi për televizorët Samsung.
Përpjekjet për të kompromentuar serinë F8000 të televizorëve smart të Samsungut kishte emrin e koduar "Engjëlli që qan", të paktën sipas dokumenteve të publikuara nga Wikileaks. Në to shkruhet se viruset e infiltruara në televizorë mund të regjistronin zërat dhe më pas t'ia dërgonin CIA-s. Madje, dokumentet e Wikiliks flasin për një projekt që parashikonte xhirimin e videove apo bërjen e fotografive nga televizori.
Wikileaks pretendon se CIA ka viruse që sulmojnë programin Android, për të cilat është ndihmuar nga shërbimi inteligjent britanik GCHQ, NSA dhe palë të treta. Pajisjet e HTC, Sony dhe Samsung thuhet se janë prekur prej tyre dhe CIA mund të lexonte mesazhet në aplikacione si Whatsapp e të tjera. Në dokumente shkruhet se një njësi speciale e CIA-s merrte me iPhone-t dhe iPad-t, dhe veç gjetjes së vendndodhjes, mund të aktivizonte kamerën e mikrofonin e pajisjes, si dhe të lexonte mesazhet.
Wikileaks gjithashtu pretendon se CIA po përpiqej të gjente mënyra për të infektuar sistemet kompjuterike të automjeteve, përmes të cilave mund të kryente vrasje të pazbulueshme. Autoritetet britanike nuk i kanë komentuar këto raporte, ashtu si edhe CIA.
