Maqedoni

Planeti 50-50 deri në 2030, gratë në një treg pune që ndryshon; Përfaqësimi i barabartë, jobarazi edhe në përqindje edhe në rrogë

08.03.2017 15:07

Dita Ndërkombëtare e Gruas sivjet nga Kombet e Bashkuara shënohet nën moton “Planeti 50-50 deri në 2030”...

Dhe jo pa arsye. Tregu i punës ndryshon vazhdimisht me implikime të rëndësishme për femrat.
 
Në tregun e punës në rang global janë të përfshira rreth 50%, tek meshkujt përqindja e atyre që punojnë është 76%. Nuk përfundon vetëm me shifra.
 
Shumica e femrave që punojnë vijnë nga ekonomia informale, pa sigurim shëndetësor dhe social, dhe janë të koncentruara më shumë në punë me pagë të ulët. Njëjtë ndodh edhe në vendin tonë.
 
Edhe te ne, gratë në shumë sektorë, sidomos në atë privat, paguhen më pak se burrat për punën e njëjtë.
 
Edhe pse vërehet përparim i dukshëm në emancipimin dhe arsimimin e femrës, sërish shoqëria dominohet nga burrat, madje edhe në politikë gjërat nuk janë më mirë.
 
Edhe pse partitë duhet të respektojnë ligjërisht kuotat ligjore të përfaqësimit të femrës, pamja e sallës parlamentare tregon tjetër gjë. Edhe më keq është gjendja në pushtetin ekzekutiv apo diplomaci. 
 
“Maqedonia për këto 20 vite ka sjellë një numër të madh ligjesh, duke filluar nga neni i 9 i kushtetutës, me të cilin garantohen të drejtat e meshkujve dhe femrave njëlloj. Gratë akoma janë të punësuara 20 për qind në krahasim me burrat. Rrogat janë 18 për qind më të ulëta në krahasim me ato që i marrin meshkujt. Në pushtetin ekzekutiv janë të përfshira më pak se 5 për qind, në diplomaci akoma më e ulët është përqindja, diku rreth 3 për qind”,- deklaroi kryetarja e Këshillit Kombëtar për të Drejtat Gjinore, Safka Todorovska.
 
Arritja e një barazie në tregun e punës është imperative për zhvillim të shëndoshë, thonë nga OKB. Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut.
 
Por në këtë kohë kaotike, të drejtat e grave po reduktohen gjithnjë e më tepër.
 
Fuqizimi i grave dhe vajzave është mënyra e vetme për të mbrojtur të drejtat e tyre në mënyrë që të realizojnë të gjithë potencialin e brendshëm, që është ndoshta edhe më i madh se i meshkujve.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI