Maqedoni

8 Marsi - dita e barazisë gjinore, tek ne festohet me lule dhe mbrëmje

08.03.2017 15:29

Një lule është dhurata më e shpeshtë që sot marrin nënat e motrat tona...

Në ditën e vetme të vitit, kur publikisht shprehim dashurinë për njerëzit që i duam aq shumë gjatë gjithë jetës.
 
Por, në 8 Mars nuk duhet të flasim për dhurata, por për barazi dhe respekt.
 
Edhe ata që blejnë lule e dinë se barazia mes gjinive në Ballkan nuk është një gjë që arrihet lehtë.
 
Mentaliteti në shumë vende ende përcakton se koka e shtëpisë është burri. Dhe gjërat duan pak kohë të ndryshojnë.
 
“Tash po kërkoj të blej një lule që ta befasoj. Ende jetojmë në Ballkan, nuk është si vendet perëndimore, nuk do thosha që të drejtat gratë dhe burrat i kanë të barabarta në disa fusha. Pse vetëm gruaja duhet t’i bëjë punët e shtëpisë, ndërsa burrat jo. Unë rrallë i bëj punët e shtëpisë, vetëm kur gruaja është e sëmurë. Përderisa ajo sjell para në shtëpi njëjtë si unë, atëherë të drejtat duhet t’i kemi të barabarta”,- theksoi një qytetar. 
 
“Po, lulen ja ku ia kemi blerë. Unë mendoj se i kanë të drejtat e barabarta”,- tha një qytetar. 
 
“Ja tash po i blej lule. Në familjen time gratë dhe burrat i kanë të drejtat e barabarta”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Në këtë vend nuk i kanë të drejtat e barabarta, por duhet t’i kenë, pse jo. Ne në shtëpinë time e kemi rregulluar këtë çështje, kemi ‘ministri të punëve të jashtme’, por edhe ‘ministri të punëve të brendshme’”,- tha një qytetar. 
 
Por, duket se blerja e luleve më shumë ka mbetur si një gjë që duhet bërë se sa vërtetë si shenjë respekti për rëndësinë e vërtetë që ka gruaja në shoqëri.
 
Këtë e tregojnë shitësit që thonë se kërkohen lule të lira. Njerëzit nuk kanë aq të holla sa tua bëjnë qefin grave me buqeta të shtrenjta për 8 Mars. 
 
“Interesimi këtë vit është më i dobët. Njerëzit nuk kanë të holla dhe shohin diçka më lirë të blejnë”,- u shpreh shitësi.
 
“Po blejnë nga pak, kush ka para blejnë, kush nuk ka ecë. Qytetarët blejnë lule më të lira. Këtë vit interesimi është më i dobët. Nuk kanë para”,- theksoi një shitës. 
 
8 Marsi i 1910 ishte ditë kur gratë u ngritën në protesta për të drejtat e tyre.
 
Në kohët moderne, që në mëngjes gratë nisin përgatitjet që të duken më bukur për festimet e mbrëmjes me shoqet. Jo të gjitha, gjithsesi. 
 
Për shumicën e femrave vlen thënia “Ne nuk duam barazi, ne jemi më të mira dhe duam që kjo të na vlerësohet dhe jo vetëm për 8 Mars”. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ