Maqedoni

Tensionet politike, shkollat me vetiniciativë shkurtojnë orët

08.03.2017 15:40

Situata politike ka ngritur ndjeshëm tensionet mes qytetarëve. Sidomos të rinjtë janë më gjaknxehtë...

Shumë shkolla kanë vendosur që në këtë periudhë të shkurtojnë orët e fundit në ndërrimin e dytë, nga frika e rrëmujës që krijohet pasdite gjatë protestave të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”. Unioni i Nxënësve Shqiptarë thotë se autoritetet duhet të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur nxënësit.
 
“Kryesisht në të gjitha shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë, e në veçanti ata nxënës të cilët janë pasdite, detyrohen t’i lëshojnë orët e fundit në atë kohë kur mbahen protestat. Nxënësit ndjehen të frikësuar që të vijnë nga pjesa tjetër e qendrës ku mbahen këto protesta, nga shkaku se deri më tani kanë pësuar në disa incidente nga pala maqedonase. Kjo është mjaft shqetësuese, andaj apelojmë deri te institucionet kompetente që të marrin masa dhe të rritet siguria më tepër për nxënësit, se është një gjendje alarmante, sepse të mos realizohen orët mësimore nuk është aspak e mirë për ne”,- deklaroi kryetarja e Unionit të Nxënësve Shqiptarë, Majlinda Çilafi.
 
Nga MASh sqarojnë së vendimi për shkurtimin e orëve merret nga shkolla dhe nuk është urdhër i Ministrisë. Kjo vlen për shkolla të caktuara si masë mbrojtëse për nxënësit që mund të pësojnë derisa kthehen në shtëpitë e tyre.
 
“Informatat tjera jozyrtare që na vijnë janë se ekipet menaxhuese të shkollave, respektivisht drejtorët, shërbimi pedagogjik me kujdestarët e klasave që zhvillojnë mësim në gjuhën shqipe, veç më kanë ndërmarrë masa preventive, që ditëve kur mbahen protestat në qytete të ndryshme të Maqedonisë t’i lëshojnë nga orët e fundit mësimore ose të shkurtojnë orët e fundit mësimore për shkak të sigurisë së fëmijëve gjatë lëvizjes dhe shkuarjes shkollë-shtëpi. Nga ana e   MASh-it ne kemi biseduar me institucionet relevante, respektivisht me MPB-në, që të kenë përkujdesje më të madhe gjatë periudhës së shkuarjes së fëmijëve nga shkollat në shtëpitë e tyre”,- u shpreh këshilltari shtetëror në MASh, Safet Neziri.
 
MPB ka shtuar policët në pikat që i cilëson si të nxehta, sidomos në stacionet e autobusëve ku ndodhin edhe zënkat më të shpeshta. Zyrtarisht këtyre ditëve u regjistruan dy incidente të ndryshme mes dy grupeve nga etnitete të ndryshme, por nga MPB nuk i lidhin këto ngjarje në mënyrë të drejtpërdrejtë me protestat e fundit.  
 
REXHEP QAMILI