Maqedoni
Faktori ndërkombëtar me apele për formim të shpejtë të qeverisë
08.03.2017 16:41
Miqtë ndërkombëtarë vazhdojnë t’i dërgojnë mesazhe Shkupit zyrtar...

“Tejkaloni sa më shpejt krizën, kthehuni në rrugën eurointegruese”,- porosit ambasadori francez, Kristian Timonie.
“Dëshira jonë është që kriza të përfundojë sa më shpejt që të mund Maqedonia përsëri të rikthehet në rrugën e vërtetë, drejt afrimit dhe integrimit të NATO-s dhe BE-së. Dëshirojmë që situata të mbetet e përmbajtur dhe në pajtim të vërtetë mes të gjithë bashkësive etnike që e përbëjnë këtë vend”,- deklaroi ambasadori i Francës në RM, Kristian Timonie.
Timonie nuk deshi të komentojë letrën e presidentit Ivanov, meqë e njëjta nuk i është adresuar presidentit të Francës. Ambasadori francez, Timonie, tha se letra do të shqyrtohet në suazat e Këshillit Europian.
Pak orë pas letrës që presidenti Ivanon i dërgoi kreut të shtëpisë së bardhë, Trump, ka ardhur reagimi i parë nga Uashingtoni zyrtar.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane e Euroaziatike, Hojt Brajan Li, fton të gjitha palët në Maqedoni të jenë të hapura ndaj kompromisit dhe të formohet sa më parë qeveria e re paszgjedhore.
“Shpresoj sinqerisht që presidenti maqedonas do krijojë mundësinë të ngrihet sa më parë qeveria e re, sepse vendit i nevojitet ekzekutivi që do të vazhdojë proceset e filluara në kuadër të procesit të integrimit në BE”,- ka thënë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.
Në prag të mbledhjes së të enjtes të Këshillit Europian në letrën dërguar anëtarëve si ftesë për mbledhjen, presidenti i KE-së, Donald Tusk, deklaron se Bashkimi Europian mbetet i angazhuar në Ballkanin perëndimor dhe do t’i qëndrojë zotimeve të tij.
“Do ta shohim me kujdes situatën në rajon, e cila është mjaft e brishtë. Do të shohim gjithashtu mënyrat si duhet vepruar përballë objektivit tonë të përbashkët të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Europës”,- shkruan Tusk.
SANIJE DURAKU
