Maqedoni

Marsh proteste në Shkup, jo miliona për lule, por për edukim të grave

08.03.2017 16:52

Platforma për barazi gjinore mblodhi gratë sot në një marsh protestues për të drejtat e tyre...

Analizat e Konfederatës së sindikatave të lira tregojnë disbalanc jo vetëm në rroga, por edhe në pozitat udhëheqëse, në rritjen e dhunës ndaj tyre, në përkeqësimin e gjendjes ekonomike të grave.
 
Përmes marshit, protestueset dhanë apelin se nuk duan vetëm lule në 8 Mars, por realizim të tërësishëm të të drejtave të tyre gjatë gjithë vitit. 
 
“Përderisa nuk kemi atë barazinë e ekonomisë, përderisa një grua nuk paguhet njëjtë sikurse një burrë, gjithsesi se ka edhe nivele të tjera të diskriminimit. Për 8 Mars harxhohen 1 milionë euro për lule, që është diçka paradoksale, absurde, sepse me 1 milionë mund ta merrni me mend se çfarë mund të bëhet për edukimin e gruas, për të kërkuar të drejtat e tyre që natyrshëm i takojnë”,- deklaroi protestuesja, Luljeta Ademi.
 
“Ne jemi shumë larg nga pozita e barabartë në këtë shoqëri, kjo është e treguar në të gjitha raportet ndërkombëtare. Gruaja nuk është e barabartë në vendin e punës, gruaja nuk ka qasje të barabartë në sigurimin shëndetësor, nuk është e barabartë në shtëpi, nuk ka qasje të barabartë në arsim si dhe në sferat tjera të shoqërisë”,- u shpreh protestuesja, Biljana Ginova.
 
Duhet një zë i fuqishëm për t’u dëgjuar, thanë sot protestueset në Shkup. Dhe ky zë nuk duhet të ndalet derisa të realizohet barazia e kërkuar.
 
ERSAN PAJAZITI