Maqedoni

QMMK: Maqedonia, model për vendet e Ballkanit

08.03.2017 17:24

Uljet e rreziqeve nga zjarret dhe menaxhimi me krizat, ishin temat e trajnimit të dytë dhe të fundit...

Uljet e rreziqeve nga zjarret dhe menaxhimi me krizat, ishin temat e trajnimit të dytë dhe të fundit në nivel teknik nga projekt "Sistemi i integruar për parandalimin dhe paralajmërimin e hershëm të zjarreve pyjore".
 
Projekt ky i realizuar nga Agjencia japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Qendra për Menaxhim me Kriza. Në  këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria,BeH, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, të cilët prezantuan analizat e gjendjes momentale të vendeve të tyre.
 
Drejtori i QMMK-së, Agron Buxhaku, u shpreh i bindur se vendet ballkanike do të vendosin model të caktuar të sistemit informues për zjarret pyjore inspiruar nga sistemi i Maqedonisë.
 
"Ne jemi plotësisht të bindur se këto analiza do të paraqesin bazë nisëse për mundësinë që secili nga vendet pjesëmarrëse më tutje ta implementojnë metodologjinë në të cilën bazohet Qendra për Menaxhim me Kriza, apo një pjesë e saj. Po ashtu ne besojmë se në vendet tuaja do të vendoset një model i sistemit informativ për zjarret pyjore, i inspiruar nga sistemi i Maqedonisë, i bazuar sipas nevojave dhe kapaciteteve që kanë në dispozicion”,- deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Agron Buxhaku.
 
Sipas këshilltares për formim të programeve nga Agjencia japoneze për Bashkëpunim, Xhun Hirashima, zbatimi i planeve të aksionit propozuar në këtë trajnim të vendeve të treta është shumë me rëndësi në parandalimin e katastrofave natyrore.
 
"Besoj se në periudhën në vijim e tërë ajo do të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme së bashku me bashkëpunimin tuaj, me qëllim që të ndihmojmë në përballjen me zjarret pyjore",- tha Hirashima. 
 
Deri në fund të programit do të përgatitet raport përfundimtar, i cili do të kyçë evaluim të suksesit, si dhe rekomandime për mundësi të ardhshme. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU