Maqedoni
VMRO kërkon zgjedhje të reja për deklaratën, BDI: Përzierja e Tiranës, do ju kthehet boomerang
08.03.2017 17:44
Pas presidentit, Gjorge Ivanov, edhe kryeministri teknik, Emill Dimitriev, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, rreshtohet pas qëndrimit të partisë amë...

Edhe Dimitriev është kundër Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, e cila, sipas tij, rrezikon rendin kushtetues dhe nuk ka qenë ofertë parazgjedhore. Daljen nga kriza Dimitriev e sheh te zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të duhej të mbahen së bashku me ato lokale.
“Unë mendoj se temat e këtilla nuk janë privilegj i partive politike që ato të konsiderohen si të afta për t’u ballafaquar me këto procese, dhe për tema të tilla faktor i vetëm që mund të deklarohet është populli në zgjedhje të reja parlamentare të cilat do të mund të organizoheshin së bashku me lokalet”,- deklaroi kryeministri teknik, Emil Dimitriev.
Edhe Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së e ka konfirmuar qëndrimin se dalje më e mirë nga kriza politike është që mbahen zgjedhje të reja të parakohshme së bashku me ato lokale.
“Në këtë mënyrë do të reduktohen shpenzimet, ndërkaq qytetarët do të kenë mundësinë që të deklarohen rreth platformës së Tiranës, e cila u miratua pas zgjedhjeve si kusht për formimin e qeverisë”, - thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se kjo parti do të kishte mbështetur LSDM-në që të formojë qeverinë nëse në formë eksplicite e hedh poshtë deklaratën e përbashkët.
“Për Nikolla Gruevskin, çdo gjë ishte e pranueshme kur luste për formimin e shumicës parlamentare. Tani kur duhet të pajtohet se është defaktorizuar dhe po e humb pushtetin gjen arsye për të thelluar krizën”,- tha kundërpërgjigjen nga LSDM.
“Hapi i radhës në proceset demokratike në Maqedoni, që nuk mund të ndalen, është që Gjorge Ivanov t’i ndajë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, që të formojë qeverinë e re të qytetarëve të Maqedonisë”, –thuhet në kumtesën e LSDM-së.
BDI do të shikojë me racionalitet për të gjetur zgjidhje më të mira të mundshme për dalje nga kriza, thotë nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi. Sipas saj, tendenca për të futur edhe Shqipërinë në korniza të krizës së brendshme politike do t’u kthehet bumerang.
“Tendenca për ta futur Tiranën zyrtare në këtë kornizë në të cilën tentohet është gabim nga ata që duan ta bëjnë këtë, për t’i bërë shqiptarët dhe Shqipërinë fajtor kujdestar për problemet e veta dhe për të pabërat e veta. Kjo do t’u kthehet si boomerang të gjithë atyre që për të mbajtur pushtetin e tyre të keqen e kërkojnë te shqiptarët. Shqiptarët dhe Shqipëria nuk janë e keqja e këtij vendi”,- theksoi nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.
Zyrtarë të lartë të BDI-së kanë konfirmuar se Deklarata e përbashkët e partive shqiptare është pranuar edhe nga VMRO-DPMNE, mospajtimet gjatë bisedimeve për qeveri me partine fituese në bllokun maqedonas kanë qenë kryekëput rreth mandatit të PPS-së.
SHPËTIM NUREDINI
