Maqedoni
Ekspertët: Ivanov thellon krizën, zgjedhjet nuk janë zgjidhje
08.03.2017 18:17
Për dalje nga kriza politike do të duhet të aktivizohet kuvendi me zgjedhjen e kryeparlamentarit....

Për dalje nga kriza politike do të duhet të aktivizohet kuvendi me zgjedhjen e kryeparlamentarit, Ivanov të veprojë si president e jo si anëtar i devotshëm i partisë, vlerësojnë profesorët universitarë të ftuar në emisionin “Argument” në TVM2.
Letra që Ivanov ia dërgoi politikanëve botërorë, sipas profesoreshës, Besa Kadriu, është një gafë e radhës e presidentit që nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës.
“Është një përvojë paradoksale, sidomos para faktorit ndërkombëtar. Me të gjitha këto vendime presidenti Ivanov, unë nuk mendoj se i ndihmon procesit, përkundrazi, është një situatë tek e cila kontribuohet për t’u thelluar edhe më tej brenda problemit, aq më tepër në një proces ku qëllimi është që këto institucione, brenda të cilave funksionojnë këto aktorë të krizës, tanimë siç duket dalëngadalë po ju vjen fundi dhe me gjitha këto vendime që bën unë mendoj se është gaf i radhës së politikës të cilën ata e paraqesin brenda opinionit”,- u shpreh profesoresha universitare, Besa Kadriu.
Profesori, Etem Aziri, kërkesat e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme bashkë me zgjedhjet lokale i vlerëson si të gabuara, pasi që zgjedhjet, sipas tij, nuk janë zgjidhje. Aziri për gjenezën e problemit fajëson edhe faktorin politik shqiptar që nuk arriti të ndajë shqiptarët nga pakicat tjera.
“Zgjedhjet janë një alternativë, por jo për zgjidhjen e krizës. Definitivisht për t’u dhënë një hapësirë subjekteve politike që të mendojnë esëll për ardhmërinë e këtij vendi, se në pyetje është ardhmëria e Maqedonisë dhe tani duhet thënë shumë shkurt se partitë politike në Maqedoni e preferojnë instrumentalizmin e jo funksionalizmin…. Nuk duhet që t’i amnistojmë subjektet politike shqiptare, të cilat deri më tani nuk ia dolën që shqiptarët t’i veçojnë nga shporta e përbashkët e të ashtuquajturave pakica nga shkaku se ne shqiptarët nuk jemi pakicë”,- u shpreh profesori universitar, Etem Aziri.
Profesori, Qashif Bakiu, thotë se VMRO nuk duhet të dalë me kërkesa të padrejta që deklaratat të votohet në zgjedhje me vetë faktin që pa dhënie të llogarisë ka realizuar projektin monoetnik “Shkupi 2014”.
Ndërkaq, sipas Bakiut, protestat me prapavijë për të fshehur krimin tani po marrin dimensione të tjera antishqiptare, duke tejkaluar kufijtë me sulmin ndaj Shtëpisë së Alfabetit në Manastir.
“Pse vallë “Shkupi 2014” mos doli në zgjedhje, është harxhuar afër 1/3 e një buxheti vjetor dhe pa dalë në zgjedhje, bile u anashkaluan të gjitha institucionet shtetërore për t’u realizuar “Shkupi 2014”, një projekt një nacional. Ky eksperiment, i cili sot së fundmi preku edhe një element shumë të ndjeshëm jo për shqiptarët e Maqedonisë, preku alfabetin e një vendi anëtar të NATO-s... Ky eksperiment vazhdon të shkojë duke tentuar të prekë dhe të kyç në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vende të tjera”,- tha profesori universitar, Qashif Bakiu.
Mosshpallja e zgjedhjeve lokale, sipas profesorëve, do të bllokojë funksionimin e komunave. Pritet që të ndërhyjë faktori ndërkombëtar në mënyrë stimuluese edhe pse nuk përjashtohen sanksionet të cilat sipas përvojave kanë shkuar në dëm të qytetarëve.
MERAL ISMAILI
