Maqedoni

Dorëheqja e Mihajllovës, Karaxhoski: E pranuam, do të reagojmë

08.03.2017 18:24

Pas vendimit të Gjykatës Supreme për të pezulluar orarin e përpiluar nga u.d. kryetare e Gjykatës Penale, Tatjana Mihajlova, kjo e fundit dha dorëheqje dje...

Pas vendimit të Gjykatës Supreme për të pezulluar orarin e përpiluar nga u.d. kryetare e Gjykatës Penale, Tatjana Mihajlova, kjo e fundit dha dorëheqje dje, duke e lënë bosh karrigen e parë të kryetares së Gjykatës Themelore Shkup. Këshilli gjyqësor nuk ka një zëvendësues për momentin. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Karaxhovski, konfirmoi se dorëheqja e Mihajllkovës ka arritur në Këshill dhe tashmë do të reagohet.
 
“Nuk mund të reagonim pa pranuar dorëheqjen në mënyrë ligjore. Kolegia jonë ka statusin e ushtrueses së detyrës së kryetares. Tani do t’i rishikojmë të gjitha mundësitë ligjore për një vendim më adekuat”,- deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhoski.
 
Procesi i zgjedhjes së kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe asaj Penale është bllokuar, ndërkohë nga anëtarët shqiptarë të cilët kërkojnë pezullim të shpalljes aktuale, e cila sipas tyre favorizon gjykatën e caktuar, si dhe rifillimin e një procedure të re më transparente. Kreu i Këshillit Gjyqësor, Karaxhovski, pranon se pa shumicën e dyfishtë nuk mund të ketë zgjedhje të kryetarëve në këto dy gjykata.
 
“Vendimi për zgjedhjen ose moszgjedhjen e një gjykatësi ose kryetari nuk varet vetëm nga një njeri, do të thotë këtu kemi një pjesë të gjykatave, konkretisht gjykatat e Shkupit, votim dhe shumicë të dyfishtë, votim me dy të tretat ose votim plotësues të anëtarëve që nuk janë shumicë. Për shkak të të gjitha këtyre arsyeve do të vendosim se çfarë është më adekuate”,- tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski.
 
Sipas kryetarit të Këshillit Gjyqësor, situata e re e krijuar në Gjykatën Themelore, shkaktoi shtyrjen e seancave gjyqësore. Por, nga Gjykata Penale dalin me të tjera informacione, se nuk ka shtyrje të seancave dhe se pritet për një afat të shkurtër të zgjidhet ushtruesi i detyrës kryetar, i cili do të bëjë orarin e ri të punës së gjykatësve.
 
FARIJE DAUTI-NAKIJU