Bruksel, eurosamit kushtuar Unionit
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian...

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian sot në Bruksel e fillojnë Samitin dyditor në të cilin temat kryesore do të jenë “Libri i bardhë” me pesë skenarë për shpëtim të BE-së i kryetarit të Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, përgatitja për fillimin zyrtar të daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni, zgjedhja e kryetarit të Këshillit të Europës, gjendja ekonomike në bllok dhe gjendja në Ballkanin Perëndimor.
Shqyrtimi i dokumentit të Junkerit vjen në momentin kur autoritetet në Berlin, Paris dhe Hagë janë të fokusuara në zgjedhjet e ardhshme dhe kur është i paqartë mandati i dytë i Donald Tuskit në krye të Këshillit, edhe pse ai gëzon mbështetje të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, por rizgjedhjes së tij i kundërvihet vendi i tij amë, Polonia.
Megjithatë, pritet që ai të marrë edhe dy vite e gjysmë mandat në krye të Këshillit të Europës, sepse për rizgjedhje të tij nevojitet shumicë e kualifikuar.
Pasqyra ekonomike është gjithnjë e më e mirë për Unionin me rritje të paraparë mesatare dhe rritje të vendeve të punës në të gjitha 28 vendet anëtare të BE-së. Por, kriza në Eurozonë ende nuk është tejkaluar tërësisht, para së gjithash për shkak të Greqisë.
Ndërkaq, kriza me migrimin, e cila i ndezi qëndrimet nacionaliste dhe shkaktoi kërkesa ekstremiste, duket sikur është nën kontroll, falë, në masë të madhe, marrëveshjes me Turqinë dhe paraqitjet e fundit drejt qeverive afrikane.
Në tryezë për diskutim sonte në Bruksel gjithashtu do të jenë edhe sfidat e jashtme dhe euroskepticizmi me Brekzitin dhe presidentin amerikan, Donald Tramp.
Gjatë mbrëmjes liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për gjendjen në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast në deklaratë të përbashkët pritet ta shprehin “mbështetjen e vet të padyshimtë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, por nuk do të përmendet emri i asnjërit vend nga rajoni.
