Misioni i ARM-së, Jolevski: Ruajmë sovranitetin dhe integritetin territorial

09.03.2017 14:52

90 ushtarë të rinj në ARM, Maksuti: ruajmë përfaqësimin, punojmë për reformat....

Në kazermën “Ilinden” në Shkup u bë promovimi i 90 pjesëtarëve të rinj të ARM-së, të pranuar vitin e kaluar, por që kanë kaluar tashmë me sukses trajnimin e tyre.

Për ministrin Jolevski, ky vit është shumë i rëndësishëm për Armatën e Maqedonisë, e cila feston 25 vjetorin e formimit dhe në këto vite ARM tregoi se di të ndërtojë standard, krijojë ushtarë të guximshëm e patriotë që vlerësohen edhe në misionet jashtë vendit.

Këta ushtarë janë të gatshëm të mbrojnë integritetin territorial të vendit, përkujtoi Jolevski.

“Në të gjithë këto vite, ne ndërtojmë një armatë të gatshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë dhe e gatshme të kryejë funksionet e tjera kushtetuese. Përpara kemi një periudhë plot sfida, ju duhet të dini se profesionalizmi vjen në radhë të parë. Pa marrë parasysh se çfarë detyrash u jepen, funksioni juaj i parë është përgatitja luftarake për të përmbushur funksionin kushtetues të ARM-së, ruajtjen e integritetit territorial, sovranitetit, pavarësisë dhe karakterit unitar të Maqedonisë”,- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Edhe në këtë konkurs është ruajtur përfaqësimi i shqiptarëve, potencoi me këtë rast zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.

“Janë 90 ushtarë të rinj të pranuar në ARM nga të gjitha etnitetet edhe te ky numër ka përfaqësim të drejtë  të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në RM. Mbetemi të angazhuar drejt përmbushjes së reformave që ARM të jetë gati për pranim në NATO”,- theksoi zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.

Fokusi i është vënë edhe pajisjes së ARM-së me mekanizëm modern,  sipas standardeve të kërkuara nga NATO. (Besim Abdullai, TVM2)