Takim MPB-ShGM, kallëzim penal për sulmuesit e gazetarëve të A1 ON
MPB ka ngritur kallëzim penal për një person i cili dyshohet se është sulmues i gazetarëve....

MPB ka ngritur kallëzim penal për një person i cili dyshohet se është sulmues i gazetarëve të A1 ON në protestat e nismës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, javën e kaluar. Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, dënon ashpër këto sulme dhe premtoi se do të ndëshkohen të gjithë ata që ushtrojnë dhunë ndaj gazetarëve.
“Sektori për Punë të Brendshme ka ngritur kallëzim penal për kryerësit potencialë të veprës penale, dhunë të paraparë me nenin 386 të Kodit Penal të RM-së, me mundësi që ky kallëzim penal të plotësohet me fakte dhe me mjete tjera,dëshmi, por dhe në pikëpamje të zgjerimit të të dyshuarve të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve të portalit A1 ON”,- deklaroi ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu.
Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, në takim me ministrin Nuhiu shprehu falënderim për përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë për këtë rast dhe kërkoi nga ministri i Brendshëm, Nuhiu, angazhim për zbardhjen edhe të sulmeve të tjera ndaj gazetarëve.
“Patëm rastin që nga zotëri ministër të kërkojmë dhe të intensifikohet hetimet për rastet e vjetra të sulmeve ndaj gazetarëve dhe shpresojmë se në periudhën e ardhshme drejtësia do t’i mbërrijë edhe të tjerët që kanë ushtruar dhunë ndaj gazetarëve”,- u shpreh kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
SULMI NDAJ MUZEUT TË ALFABETIT, NUHIU: PO PUNOHET NË ZBARDHJEN E RASTIT
Njëherit, ministri i Brendshëm, Nuhiu, thotë se MPB po punon intensivisht edhe për indentifikimin e sulmuesve të Muzeut të Alfabetit Shqip në Manastir.
“Teknika kriminalistike me atë të metodave të forenzikës ka gjetur një profil të ADN-së së një mashkulli, tani për momentin akoma të paidentifikuar. Janë ekzaminuar edhe vijat papilare në pjesë të shishes, e cila është e gjuajtur me benzinë te Shtëpia e Alfabetit, janë kyçur të gjitha shërbimet, kemi pasur dhe bastisje në dy shtëpi në Manastir, dhe kemi edhe të dyshuar të tjerë, por shpresojmë që në një periudhë të shkurtër do të kemi dhe kallëzime penale”,- theksoi ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu.
Nuhiu dhe Selmani gjithashtu biseduan edhe për vendosjen e një regjistri të veçantë në MPB për të gjitha sulmet e bëra deri tani ndaj gazetarëve. (Rexhep Qamili, TVM2)
