Maqedoni

Samiti i BE-së, diskutohet situata në Ballkanin perëndimor

09.03.2017 15:32

Situata e tensionuar në Ballkanin Perëndimor është një nga temat kryesore të takimit të 28 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian gjatë samitit që mbahet në Bruksel....

Diskutimi për Ballkanin është parashikuar të zhvillohet gjatë darkës së punës të liderëve evropianë, si pikë e dytë pas diskutimit mbi politikën e sigurisë europiane dhe të mbrojtjes. 
 
Kjo agjendë është kërkuar në mënyrë specifike nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Samitin e 3 shkurtit në Maltë. Shtetet anëtare konsiderojnë se ka një përkeqësim të situatës politike dhe të sigurisë, që kërkon vëmendjen e Këshillit Europian.
 
Shqetësimet për situatën politike, për trafiqet, për korrupsionin, për ngritjen e tensioneve nacionaliste dhe për keqfunksionimin e demokracisë në Ballkan bazohen në informacionin nga turi i shefes së Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, në rajon.
 
Në draft-konkluzionet e Këshillit Europian theksohet perspektiva europiane për të gjitha vendet e Ballkanit drejt anëtarësimit në BE, por edhe dërgimi i një mesazhi të fortë për shumicën e vendeve, se europianët presin reformat e nevojshme.