ShBA: CIA nis hetimet për dekonspirim

09.03.2017 15:55

Pas nxjerrjes së të dhënave nga Uikileaks, Agjencia Qendrore e Inteligjencës dhe Byroja Federale....

Pas nxjerrjes së të dhënave nga Uikileaks, Agjencia Qendrore e Inteligjencës dhe Byroja Federale e Hetimit kanë nisur një hetim penal mbi publikimin e dokumenteve sekrete të cilat shpjegojnë në detaje aftësitë hakeruese të CIA-s. Uikiliks thotë se dokumentet ekspozojnë arsenalin e CIA-s për hakerim, apo për të përgjuar njerëzit përmes mikrofonëve në telefonat celularë dhe pajisje të tjera elektronike, siç janë aparatet televizive inteligjente.

Asnjë zyrtar i lartë i saj, FBI-së apo Shtëpisë së Bardhë, nuk ka bërë deri tani ndonjë koment mbi autenticitetin e dosjeve të publikuara të martën. Por, firmat e mëdha amerikane të teknologjisë nuk pritën konfirmimin e autoriteteve që të nisnin nga puna për të përmirësuar pikat e dobëta të sistemeve të tyre operuese.

Aple dhe Samsung thonë se kanë filluar të zgjidhin shumë prej çështjeve të identifikuara në dokumentet e nxjerra nga Uikileaks, ndërsa do të punojnë me shpejtësi për të trajtuar çdo dobësi që mund të identifikohet.