Diplomati gjerman: Ivanov të lejojë formimin e qeverisë
Gjermania është e bindur se presidenti i Maqedonisë do të respektojë shumicën e re parlamentare....

Gjermania është e bindur se presidenti i Maqedonisë do të respektojë shumicën e re parlamentare duke i hapur kështu rrugë formimit të qeverisë së re, ka deklaruar i dërguari special i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Europën Juglindore dhe Turqinë, Kristian Helbah, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni.
“Ne jemi të bindur se presidenti do të tregojë mençuri, të respektojë rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe do të lejojë shumicën në Parlament të formojë qeverinë në kohë sa më të shpejtë të mundur. Parlamenti duhet të jetë në gjendje pas kësaj krize të gjatë të fillojë punën me qëllim që t’u përkushtohet çështjeve të cilat e presin vendin. Është shumë e rëndësishme që Specialja të vazhdojë me punën e saj në bashkëpunim me institucionet e tjera. Gjermania beson se krizës do t’i vijë shumë shpejtë fundi dhe aktorët kryesorë politik në këtë vend do të mbështesin qeverinë e re”,- tha i dërguari special i MJ-së së Gjermanisë, Kristian Helbah.
Në pyetjen e gazetarëve: Nëse sheh diçka të keqe në platformën e subjekteve shqiptare, Helbah shkurt u përgjigj “jo”.
Ali Ahmeti: Gjermania përkrah forcat reformuese
Ndërkohë, pas takimit kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Gjermania është e interesuar që në këtë vend të ketë stabilitet, ndërsa zërat për tërheqjen e platformës i quajti spekulime.
“Gjermania është shumë e interesuar që në këtë vend të ketë stabilitet të qëndrueshëm. Gjermania do të jetë në përkrahje të të gjitha atyre forcave që punojnë dhe kontribuojnë në ndërtim dhe ngritje të institucioneve shtetërore, institucioneve stabile, me qëllimin më të mirë, që të punohet në drejtim të reformave në drejtësi, konkretisht rekomandimet e z.Pribe, si dhe të punohet në drejtim të zgjidhjeve të problemeve apo dallimeve me fqinjët, që vendi ynë sa më parë të fillojë negociatat për t’u afruar me NATO-n si dhe me BE-në”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ziadin Sela: shprehëm shqetësimet për atë çfarë po ndodhë
Kreu i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, gjatë takimit me diplomatin gjerman ka ngritur shqetësimet lidhur me krizën politike në vend.
“Me miqtë tanë ndërkombëtarë ka shumë gjëra për çfarë duhet diskutuar dhe ne folëm për këto në mënyrë që të kthehet stabiliteti, shpresa dhe perspektiva e qytetarëve këtu në RM. Shprehëm shqetësimet tona si subjekt politik për atë se çfarë është duke ndodhur, sepse në Maqedoni ka qenë e vështirë dhe është për shqiptarët dhe të tjerët të jetojnë edhe duke u respektuar ligji dhe kushtetuta. Dhe imagjinoni sa e vështirë është kur niset e nuk respektohet ligji dhe kushtetuta nga presidenti dhe pjesëtarët e tjerë, qeveria dhe ata që duhet të respektojnë ligjin”,- theksoi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
Bilall Kasami: Gjermania, e interesuar për stabilitetin e vendit
Shteti gjerman po dëshmon se është i interesuar për stabilitetin e Maqedonisë, deklaroi kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pasi përfundoi takimin me Helbah.
“Vlerësojmë lartë përkushtimin e shtetit gjerman për Maqedoninë dhe përkrahjen e saj që të dalë nga kjo krizë e thellë në të cilën e futën politikanët e papërgjegjshëm. Jam optimist se politikanët do të reflektojnë dhe do ta kuptojnë se veprimet e tyre janë të rëndësishme dhe përcaktuese, determinuese për fatin e çdo qytetari këtu në Maqedoni dhe në këtë drejtim edhe vendimet që do t’i marrin do të jenë vendime shumë serioze, vendime të cilat para interesit personal do ta vendosin interesin e qytetarëve”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Më herët, Helbah është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Popovskin, ku në fokus ka qenë diskutimi për përforcimin e integrimit europian në drejtim të stabilitetit afatgjatë dhe prosperitetit të rajonit. (Naim Ramadani, TVM2)
