Deponitë e egra, ambientalistët: Janë jashtë çdo standardi
Deponitë e egra në Pollog vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për qytetarët....

Deponitë e egra në Pollog vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për qytetarët dhe ambientin jetësor. Në një debat të organizuar në Universitetin e Europës Juglindore, shoqatat joqeveritare për mbrojtje të mjedisit alarmojnë se të gjitha deponitë janë jashtë standardeve dhe duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë për këto vende që ndotin ajrin.
“Janë pa standarde dhe vazhdojnë të ndotin qytetin tonë. Jemi këtu së bashku me ekspertë, inxhinierë dhe njerëz me profile të ndryshme për të gjetur një zgjidhje për problemin e mbeturinave, dhe pas kësaj do vazhdojmë edhe me probleme të tjera që ndotin qytetin tonë, siç janë mungesa e trafikut urban”,- u shpreh Vesel Qamili nga “Eko Guerilla”.
DEPONITË E EGRA, CEKA: SË SHPEJTI PROBLEMI DO TË ZGJIDHET
Drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka, thotë se tani është caktuar firma e cila do të nisë ndërtimin e një pavioni ku do të bëhet reciklimi i mbeturinave.
“Siç dihet, me rebalancë të buxhetit për sallën do të ndahen 30 milionë denarë, dhe shpresoj se faza e dytë do të zgjasë deri në përfundimin e hallës, dy muaj e gjysmë deri në tre. Ne si ndërmarrje kemi shumë interes për arsye sepse do kemi benefite të shumëllojshme, i pari do të jetë zvogëlimi i shpenzimeve për transport të mbeturinave, e cila ndërmarrje me vite të tëra po ballafaqohet me këtë problem, dhe burim i të hyrave të reja do të jetë nga riciklimi i mbeturinave dhe një herë e përgjithmonë ndërmarrja të fillojë të punojë me një pozitivitet si subjekt”,- tha drejtor i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka.
Shumë herë nga autoritetet lokale dhe qendrore janë ndërmarrë iniciativa për të larguar deponinë në hyrje të qytetit të Tetovës, por e njëjta vazhdon edhe sot të jetë problem. Ceka premton kjo deponi do të largohet më së voni deri në fillim të muajit prill. (Visar Sadiki, TVM2)
