Beteja kundër korrupsionit, sektori civil: Nivelet e larta politike më të korruptuara
Komisioni Europian rikthen vëmendjen në betejën kundër korrupsionit në Maqedoni.....

Komisioni Europian rikthen vëmendjen në betejën kundër korrupsionit në Maqedoni.
Nëpërmjet vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit në institucionet e sektorit publik synohet të ulet niveli i lartë i korrupsionit. Ranomir Leviçek nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha se nga vendet kandidate kërkohet që të zhvillojnë mekanizma për ndjekje dhe parandalim të korrupsionit, për të dëshmuar se politikat e anti-korrupsionit po realizohen në mënyrë aktive dhe me rezultate të dukshme.
“Nevojitet të ndërmerren masa juridike, institucionale dhe praktike që do të garantonin bashkëpunim jo vetëm të institucioneve gjyqësore, por përfshirjen edhe të mediave, sektorit privat dhe qytetarëve. Nëse sistemet për vlerësimin e rreziqeve zbatohen në mënyrë adekuate, atëherë do të ketë rezultate pozitive për parandalim, zbulim dhe neutralizim të korrupsionit”,- deklaroi anëtari i delegacionit të BE-së, Ranomir Leviçek.
Sektori civil thotë se vëmendje kundër këtij fenomeni do të duhet të tregohet në nivelet më të larta politike ku korrupsioni është më i zhvilluar.
“Mendoj se ka dallime midis percepcionit dhe realitetit. Shpesh thuhet se gjykatësit janë personat më të korruptuar, ndërkaq në realitet nuk është ashtu. Kemi nivel të ulët të korrupsionit në shëndetësi, arsim, te mjekët, arsimtarët dhe ngjashëm, megjithatë ajo që është problemi më i madh është niveli i lartë i korrupsionit në politikë”,- u shpreh Aleksandar Kezhallovski nga OJQ “MCMS”.
Nga Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion thonë se e kanë të vështirë të identifikojnë korrupsionin dhe në vend të sanksioneve do të fokusohen në edukimin e institucioneve për identifikim të rreziqeve nga korrupsioni.
“Parandalimi bëhet para së gjithash me edukim, kjo është kompetenca jonë kryesore. Para së gjithash nisim nga shkollat fillore, të mesme, tani do të nënshkruajmë memorandum edhe me universitete, ku studentët do të orientohen dhe edukohen se çfarë do të thotë korrupsioni”,- theksoi kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Igor Tanturovski.
Raporti i fundit i “Transparensi Interneshënëll” flet se korrupsioni në Maqedoni vitin e kaluar shënoi rritje, duke e renditur vendin në pozitën e 90, pesë vende më lartë në krahasim me vitin paraprak. (Meral Ismaili, TVM2)
