Maqedoni

Ndarja e mandatit, Ivanov: Platforma nga Tirana duhet të dënohet; Zanier: OSBE, kundër tensioneve ndëretnike

09.03.2017 18:15

Gjorge Ivanov nuk e ka në plan t’ia ndajë mandatin shumicës së re parlamentare pa e dënuar dhe hedhur poshtë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare....

Gjorge Ivanov nuk e ka në plan t’ia ndajë mandatin shumicës së re parlamentare pa e dënuar dhe hedhur poshtë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, të cilën ai e quan si platforma shqiptare nga Tirana. Këtë qëndrim Ivanov e ka përsëritur në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanierin.
 
"Në kontekst të gjendjes aktuale, presidenti Ivanov i ka përsëritur qëndrimet se ka aspekt juridik dhe politik, të cilat janë problem, por edhe parakusht për dalje nga gjendja. Në lidhje me aspektin juridik të ndërlidhur me afatet për ndarje të mandatit, theksoi se është i tejkalueshëm lehtë. Në lidhje me aspektin politik, presidenti Ivanov theksoi se mbetet në qëndrimin se platforma nga Tirana duhet të dënohet dhe të hidhet poshtë",- thuhet në kumtesën e presidencës.
 
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Lamberto Zanier, ka shprehur shqetësim për tensionet ndëretnike dhe ka bërë thirrje që të gjithë të bëjnë hapa konstruktivë për tejkalimin e krizës, njoftojnë nga presidenca. Zanieri është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Poposkin, ndërsa takon edhe përfaqësues të partive politike parlamentare.
 
Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë vazhduar akuzat e ndërsjella rreth krizës për formimin e qeverisë, ku si shkas merret Deklarata e përbashkët e partive shqiptare. VMRO-DPMNE ia ka ofruar dy alternativa LSDM-së, ose të dënojë platformën shqiptare, me ç’rast do të kishte edhe mbështetjen e partisë së Gruevskit, ose të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku qytetarët do të shpreheshin rreth, siç thonë, platformës nga Tirana.
 
“Logjika e Zoran Zaevit është që ai ta udhëheq qeverinë po sikur ajo të jetë edhe Qeveria e Tiranës. Ai të vijë në pushtet qoftë edhe me çmimin që të pranohen dhe realizohen elementet e platformës tiranase”,- u shpreh Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo, LSDM hedh poshtë pretendimet e VMRO-së. Sipas partisë së Zaevit, pretendimet e tilla janë vetëm në imagjinatën e Gruevskit. 
 
LSDM fton VMRO-në që të heq dorë nga nxitja e dhunës dhe të lejojë transferin e qetë të pushtetit.  
 
“As Kushtetuta nuk do të ndryshojë, as emri nuk do të shitet, s’do të ketë as federalizim dhe as kantonizim, të cilat janë vetëm në kokën e Gruevskit. Do të ketë vetëm konfiskim të pronës që është fituar në formë kriminale. Do të ketë edhe përgjegjësi penale për vepra penale dhe keqpërdorime. Mbi 700 mijë qytetarë u deklaruan për ndryshime dhe konceptin “një shoqëri për të gjithë””,- theksoi Sasho Veleski nga LSDM.
 
Pas dështimit të mandatarit nga radhët e VMRO-DPMNE-së që të formojë shumicën parlamentare, presidenti Ivanov refuzon t’ia ndajë mandatin kandidatit të shumicës së re parlamentare, me pretekstin se kjo shumicë po e imponon Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, që, sipas tij, rrezikon rendin kushtetues dhe karakterin unitar të shtetit. 
 
SHPËTIM NUREDINI