Rasti “Kumanova”, Kafexholli akuzon, mungojnë bisedat telefonike

09.03.2017 17:47

Ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin “Kumanova” me dëshminë e të akuzuarit, Shefqet Kafexholli, i cili ka referuar bisedat e bëra me politikanët shqiptarë...

Ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin “Kumanova” me dëshminë e të akuzuarit, Shefqet Kafexholli, i cili ka referuar bisedat e bëra me politikanët shqiptarë, me vetë anëtarët e grupit, si dhe ka treguar se si është sjellë policia ditën e sulmit. Ai ka këmbëngulur se bisedat telefonike që janë lëshuar si provë në gjykatë, janë të montuara. Thotë se mungojnë disa nga përgjimet. Gjykatësja e ka siguruar të akuzuarin se avokati mbrojtës i ka të gjitha dokumentet, që i ka në shqyrtim edhe vetë gjykata. Por, edhe avokati mbrojtës, Naser Raufi, pohon se mungojnë pjesë të bisedave telefonike. 
 
“Shefqet Kafexholli(Kallashi), është personi që ka biseduar me OSBE-në  dhe faktorë të tjerë në BDI. Por, në bisedat që i dëgjuam ne si palë mbrojtëse dhe të akuzuarit, mungon biseda që ai i ka shpjeguar, si p.sh. me shefin e OSBE-së dhe me ministren e Punëve të Brendshme. Te kjo bisedë është lënë vetëm pjesa ku bisedon shefi i OSBE-së, por jo edhe ministrja e Punëve të Brendshme. Ka shumë pjesë që janë të ndërprera, nuk janë plot të dhënat nga këto biseda ka edhe që janë biseduar me Artan Grubin dhe me Ali Ahmetin, këto biseda që kemi dëgjuar nuk janë të plota dhe i akuzuari tregoi pjesët që nuk na janë prezantuar”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Kafexholli tha se edhe përkundër bisedave telefonike dhe garancisë që kanë marrë nga funksionarë të BDI-së, janë zhgënjyer kur gjatë dorëzimit nuk kanë parë persona të OSBE-së. Ai thotë se policia ka tentuar t’i vrasë edhe pasi janë dorëzuar. Kafexholli gjithashtu shprehu dyshime për vdekjen e Mirsad Ndrecajt, pasi sipas tij në raport nuk tregohet ora e vrasjes. Sipas Kafexhollit, edhe Beg Rizjan e ka parë duke u dorëzuar, ndërkohë për Mirsadin tha se ka dëshmitarë ndër të akuzuarit që e kanë parë në mesin e të arrestuarve në  stacionin policor të Kisella Vodës. Raufi hedh dyshimin për likuidimin e disa pjesëtarëve të grupit pas arrestimit të tyre. 
 
Seanca e ardhshme për Rastin “Kumanova” është caktuar për më 13 mars, ku pritet që të dëshmojnë Hajrush Avdija dhe Betim Kabashi. Deri më tani në rastin “Kumanova” kanë dëshmuar tetë të akuzuar.
 
GAZMEND KURTISHI