Maqedoni

Kursistët e gjeneratës 2015/2016 për policë, protesta para MPB-së dhe Ministrisë së Financave

09.03.2017 18:29

Gjenerata 2015/2016, e cila para pesë muajsh ka përfunduar trajnimin njëvjeçar për policë, ka protestuar para Ministrisë së Punëve të Brendshme...

Gjenerata 2015/2016, e cila para pesë muajsh ka përfunduar trajnimin njëvjeçar për policë, ka protestuar para Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar punësimin e të gjithë 603 personave që kanë përfunduar trajnimin.
 
Në MPB mungon kuadër, ndërsa tanimë është paralajmëruar edhe konkursi për trajnim të gjeneratës së re me 660 kandidatë, prandaj kërkojnë që Ministria e Financave të japë pëlqim financiar për punësimin e tyre. 
 
“I nderuar ministër, në emër të gjeneratës 2015/2016 duam t’ju themi se ne nuk kërkojmë asgjë përveçse të na nënshkruani kontratat, një nënshkrim që na bën pjesë e aranzhmanit të ministrisë, që të mundemi me dinjitet ta kryejmë detyrën për të cilën e kemi kryer të gjithë procesin e stërvitjes dhe për të cilën ëndërrojmë. Na jepni mundësi të tregojmë dhe të zbatojmë të gjithë atë që kemi mësuar, pra të realizoni atë që na takon ne. Tashmë kanë kaluar tre muaj nga fjalimi jonë dhe pesë muaj që kemi kryer stërvitjet e vitit të fundit në Qendrën për stërvitje. Pyetja jonë është se kur do të punësohemi?”,- tha përfaqësuesja e kandidatëve për policë, Elena Melanovska.
 
Përfaqësuesit e protestuesve u pranuan nga ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, i cili u tha se “nga MPB nuk ka asnjë problem. Në pyetje janë pëlqimet financiare për kandidatët që me sukses e kanë kryer stërvitjen, por që nuk kemi pëlqime nga Ministria e Financave. Ne insistojmë që me punë të fillojë e tërë gjenerata 2015/16”,- tha ministri Nuhiu. 
 
Pas takimit me Nuhiun, kandidatët për policë të gjeneratës 2015/2016 protestuan edhe para Ministrisë së Financave.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU