Maqedoni
BIRN: Nuk u realizua parashikimi për investime të huaja
09.03.2017 18:59
Investimet e huaja kanë pasur realizim më të dobët në krahasim me paralajmërimet e tyre, tregon hulumtimi i BIRN...

Profesori universitar, Abdulmenaf Bexheti, thotë se investimet e huaja nuk janë zhgënjyese sipas numrit dhe vëllimit, por, sipas tij, janë huq projeksionet dhe jo pritjet, për shkak se ekonomia e Maqedonisë është ekonomi e limituar.
Akademiku Bexheti thotë se edhe përskaj subvencioneve dhe lehtësimeve për investitorët e huaj, shikuar në aspektin normativ, investitorëve nuk u ofrohet diçka atraktive, por u ofrohen shërbime konjukturave të caktuara. Bexheti tha se duhet të bëhet një analizë se sa këto investime janë profitabile në një periudhë më të gjatë.
“Duhet të analizojmë më thellësisht dhe ta shikojmë se a do të jenë të qëndrueshme këto investime kur do t’i humbasin subvencionet, a të vazhdojnë të qëndrojnë në vend, ajo është një pyetësor i madh, sa do të jenë të etabluar në strukturën e ekonomisë që të jenë të motivuar të jenë prezente këtu, sepse tregu i punës ua mundëson atë, ndërsa më së paku ajo është e qëndrueshme”,- deklaroi profesori universitar, Abdulmenaf Bexheti.
Profesori universitar, Marijan Petrovski, thotë se shkak për realizimin e dobët të projeksioneve të investimeve të huaja është situata jostabile.
“Shikojmë se në dy vitet e fundit, para së gjithash nuk ka investime të reja, por gjithashtu kemi edhe realizim më të dobët të investimeve të huaja të paralajmëruara, pra ato si dhe të gjithë tjerët në ekonominë tonë, para së gjithash duan stabilitet politik dhe sundim të së drejtës, gjë që të gjithë e dimë se në çfarë konteksti është e kontestuar”,- tha profesori universitar, Marijan Petrovski.
Shtatë herë më pak para janë investuar në krahasim me atë që është paralajmëruar, ndërsa tre herë më pak janë hapur vende të reja të punës në dallim me atë që është premtuar,tregon hulumtimi i BIRN.
Prej 138 investimeve të cilat kanë qenë të promovuara nga ana e qeverisë në periudhën prej 2007 deri më 2016, 43 nuk janë realizuar, ndërsa prej 26 kompanive të huaja të cilat kanë marrë subvencione, vetëm katër kanë investuar aq sa kanë premtuar.
ERSAN PAJAZITI
