Botë
Guatemalë, zjarr në një jetimore, 22 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar
09.03.2017 19:27
Është rritur në 22 numri i të vdekurve në zjarrin që përfshiu mbrëmë vonë një jetimore në afërsi të kryeqyteti të Guatemalës...

Rreth 25 fëmijë mbetën të lënduar. Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin në strehën për fëmijë “Virgen de Asuncion”, por autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Një ditë më parë, policia ndërhyri në këtë qendër sociale pas një revolte, gjatë së cilës 60 minorenë arritën të largohen. Mediat thonë revolta u organizua nga fëmijët që ishin pre e abuzimeve fizike dhe seksuale.
Zjarri nisi në një nga dhomat ku një apo më shumë persona i vunë flakën dyshekëve. Zjarri në pak minuta përfshiu dhe shkrumboi godinën. Sipas mediave, qendra duhej t’i shërbente 400 fëmijëve, por aty kishte disa qindra më shumë, pasi qendra e fëmijëve funksiononte edhe si burg për të miturit, ku gjykatësit dërgonin adoleshentët e përfshirë në krime.
