Ndihma të reja nga Maqedonia nisen për në Serbi dhe BeH

19.05.2014 10:17

Konvoji i parë për në Serbi niset në orën 11 nga depoja qendrore e Kryqit të Kuq në Momin Potok. Kamionët me ndihmë për në BeH, do të nisen nesër mbrëma në orën 20:00…

Dhjetëra tonë ndihmë humanitare të cilat i kanë dhuruar qytetarët e Maqedonisë sot me një konvoj me kamionë të organizuar nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë do të nisen drejt rajoneve të vërshuara në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Konvoji i parë për në Serbi niset në orën 11 nga depoja qendrore e Kryqit të Kuq në Momin Potok. Kamionët me ndihmë për në BeH, do të nisen nesër mbrëma në orën 20:00.

Kryqi i Kuq njoftoi se në aksionin për grumbullimin e ndihmave, deri dje në orën 17 në pikat në Shkup janë dhuruar 20 tonë artikuj ushqimorë, 10 tonë mjete higjienike, 60.000 litra ujë, 1.000 batanije, një ton ushqim për fëmijë, tre tonë qumësht, 10 tonë veshje, 1.000 palë mbathje.

Përmes telefonave për donacion, deri në orën 16 dje janë grumbulluar 3.700.000 denarë.

Mjetet financiare të cilat do të grumbullohen në telefonat për donacion dhe në xhiro llogarinë e Fondit të solidaritetit do të paguhen në llogaritë për t'i ndihmuar Serbinë dhe BeH-në më 31 maj.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti deklaroi se grumbullimi i ndihmave do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Ai pret jehonë më të madhe të firmave dhe kompanive më të mëdha, duke e pasur parasysh atë se donacionet e deritanishme janë kryesisht individuale nga qytetarët.

Në pajtim me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë, në fazën e parë për ndihmë në rajonet e vërshuara tashmë janë dërguar 75 specialistë për vërshime nga Ministritë e Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes si dhe nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, 45 pompa për pompimin e ujit, 35 gjeneratorë, nëntë barka, 3.000 batanije dhe një paletë e gjerë me barëra.