Rasti “Shuplaka”, Gruevski dhe të tjerët nuk erdhën në gjykatë, Janeva: Le të komentojnë, ne punojmë sipas ligjit

10.03.2017 14:51

Është shtyrë për më 3 maj seanca gjyqësore për lëndën e Prokurorisë Speciale “Shuplakat”....

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit, Mile Janakievski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniela Rangellova, dhe 11 të akuzuarit e tjerë, nuk u paraqitën në seancë dëgjimore. Avokati i Gruevskit, NIkolla Dodevski, tha se mospjesmarrja e tyre në seancë ka të bëjë me mospërmbushjen e kushteve për mbajtjen e së njejtës. Më saktë, nuk është përmbushur kushti për ndërrimin e prokuroreve speciale, Katica Janeva dhe Fatime Fetai, siç kërkojnë të akuzuarit.

“Gjykatësja e rastit ka kërkuar që Këshilli Gjyqësor të caktojë prokurorë të rinj për rastin për shkak të sjelljes së prokuroreve, Fatie Fetahi dhe dhe Katica Janeva,  në seancën e kaluar. Mbrëmë konstatuam se nuk kishte vendim të Këshillit të Prokurorëve rreth kësaj, pra ishte e qartë se sot nuk ka predispozita për mbajtjen e seancës dhe, siç u pa, nuk u mbajt. Derisa Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk sjell vendim se cilët prokurorë do të përfaqësojnë palën akuzuese, kuptohet që gjyqi nuk mund të mbahet”,- deklaroi avokati mbrojtës i Nikolla Gruevskit, Nikolla Dodevski.

Janeva dhe Fetai u paraqitën në gjykatë, edhe përkundër vendimit të Këshillit Gjyqësor, për ndërrimin e tyre, pasi, sipas tij, ato shkelën kodin etik të prokurorëve. Ne punojmë, kemi shumë probleme më të rëndësishme se sa të diskutojmë rreth asaj që thonë të tjerët, tha prokurorja speciale, Janeva, raporton television publik i Maqedonisë në gjuhën shqipe.

“Të gjithë kanë të drejtë të komentojnë atë që duan, por unë e kam për obligim të kryej detyrën time, sipas ligjit. Prioritet kemi lëndët tona që janë aktive dhe raportin që duhet ta paraqesim, për të tjerat do të informoheni në kohë. Të hënën sërish kemi gjykim të ri, tani jemi këtu, pra ne punojmë. Më me rëndësi është që gjykata të fillojë të punojë rreth lëndëve, dhe argumentet tona t’i përballim në seancën gjyqësore. Një vit e gjysmë, prokuroria jonë nuk ka asnjë fjalë të shënuar në procesverbalet e seancave gjyqësore në Gjykatën Penale në asnjë lëndë, ky është problemi ynë kryesor për momentin”,- u shpreh kryeprokurorja publike speciale, Katica Janeva.

Më 3 maj, gjykatësja ka kërkuar që si dëshmitarë të paraqiten të gjithë të akuzuarit dhe kreu i komunës Qendër, Andrej Zhernovski, bashkë me kryetarin e Këshillit Komunal dhe dëshmitarë të tjerë.

Sipas PPS-së, i akuzuari i parë Gruevskit, ashtu edhe siç e dëgjuam në “bombat” e LSDM-së, ka qenë porositës, ndërkaq Janakieski ka pranuar që nëpërmjet anëtarëve partiakë të VMRO-DPMNE-së ta kryejnë dhunën ndaj kryetarit të komunës Qendër, Andrej Zhernovski, dhe anëtarëve të Këshillit Komunal gjatë protestave përpara objektit të komunës.

14 persona akuzohen në këtë rast, pesë si nxitës, e të tjerët si zbatues të drejtpërdrejtë të dhunës. (Merita Gashi, TVM2)