Dy klasa në një vend në “Vasil Gllavinov”, protestojnë prindërit, kërkojnë të gjendet zgjidhje

10.03.2017 16:05

Nxënësit e klasës së katërt të Shkollës Fillore “Vasill Gllavinov” në Shkup....

Nxënësit e klasës së katërt të Shkollës Fillore “Vasill Gllavinov” në Shkup mësojnë dy paralele në një klasë, njofton TVM2.

Në fakt më herët klasa e katërt ka funksionuar si një e vetme, por me më shumë fëmijë, e më pas u vendos që të ndahej në dy paralele, në mënyrë që të kishte më pak nxënës në klasë. Por, ndarja në dy paralele të veçanta nuk rezultoi edhe me ndarjen në dy hapësira të veçanta. Dhe tani dy klasat e katërta mësojnë në të njëjtën hapësirë me dy mësuese, raporton televizioni publik i Maqedonisë në gjuhën shqipe.

Kjo gjendje detyroi prindërit që të protestojnë, pasi sipas tyre është e pamundur që të pritet cilësi me kushte të tilla mësimi. Zgjidhje të këtij problemi pritet të ketë vetëm nga shtatori i ardhshëm, pasi për momentin shkolla nuk ka hapësira të lira për ndarjen e klasave.

“Gati po mbushet një vit që nxënësit po mësojnë në një klasë me dy mësuese, tani drejtori na premtoi se prej shtatorit të ardhshëm do të ndahet edhe fizikisht, sepse mundësitë janë të  tilla, domethënë shkolla është e mbingarkuar me nxënës dhe shpresojmë të ndodhë ajo”,- deklaroi prindi, Samet Selimi.

Drejtori i Shkollës “Vasil Gllavinov”, Qamuran Kuçi, thotë se shkolla është e mbingarkuar dhe pa hapësira shtesë, kështu që sivjet ka qenë e pamundur të gjenden klasa të veçanta për këto paralele. Thotë se prindërit e kanë ditur këtë që kur kërkuan që klasa e katërt të ndahej në dy paralele me më pak nxënës. Sipas tij, marrëveshja ka qenë që sivjet të mësojnë bashkë të gjithë.

“Ishte një mosmarrëveshje për arsye se ata kishin dëshirë që të jenë dy paralele në klasa të ndara, ashtu që u morëm vesh me prindërit që deri sa të mbarojë viti shkollor të jenë dy paralele në një klasë, kështu që nga shtatori do të dalë secili në klasë të veten”,- tha drejtori i Sh. F. “Vasill Gllavinov”, Qamuran Kuçi.

Prindërit këmbëngulin se është absurde që dy klasa të mësojnë në të njëjtën hapësirë me dy mësuese. Ata do të presin deri në shtator, por nëse nuk përmbushet premtimi do t’i tërheqin fëmijët nga kjo shkollë. (Ersan Pajaziti, TVM2)