Maqedoni
Zgjedhjet lokale, Elezi: Presim politika të vendosë; Ambasadorja Tejada: Zgjedhje lokale do të ketë edhe po të jenë me vonesë
10.03.2017 16:58
Ministrja, Shyrete Elezi, nuk zbulon se çfarë do të ndërmerret nga dikasteri që rregullon kompetencat e pushtetit vendor...

Ministrja, Shyrete Elezi, nuk zbulon se çfarë do të ndërmerret nga dikasteri që rregullon kompetencat e pushtetit vendor, tani që ka shkaktuar afati dhe zgjedhjet lokale nuk janë shpallur ende.
Elezi pret vendimet e partive politike dhe më pas në resorin që ajo drejton do të vendosë se cili do të jetë veprimi i tyre në raport me të mandatuarit nga zgjedhjet e fundit në pushtetin vendor.
Ajo sqaron se mbajtja e zgjedhjeve është e definuar me Kodin Zgjedhor dhe bie në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa shpallja e tyre lidhet kryekëput me përzgjedhjen e kryetarit e kuvendit.
“Mënyra e shpalljes, organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale janë të definuara saktë përmes Kodit Zgjedhor, që është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë. Ligji ynë është ligj sistemor, i cili rregullon kompetencat e komunave, por nuk rregullon çështjen e zgjedhjeve. Besoj se me vendimet që do t’i marrin partitë politike, aktet e zgjedhjeve janë të lidhura kryekëput me përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë. Sigurisht që kemi menduar edhe për këtë drejtim, por do të shohim si do të zhvillohen rrjedhat e radhës nga vendimet dhe veprimet që do t’i sjellin partitë politike”,- deklaroi ministrja e Pushtetit Lokal, Shirete Elezi.
Ambasadorja e Zvicrës, Sybille Suter Tejada, beson se kuvendi së shpejti do ta zgjidhë këtë çështje dhe zgjedhjet lokale do të mbahen.
“Shpresoj se kuvendi së shpejti do ta zgjidhë këtë çështje dhe besoj se do të kemi zgjedhje, ndoshta më vonë se sa ishin të planifikuara, por me rëndësi është që të mbahen zgjedhjet”,- theksoi ambasadorja e Zvicrës në RM, Sybille Suter Tejada.
Këto komente ministrja Elezi dhe ambasadorja Tejada i bënë gjatë pjesëmarrjes në konferencën përmbyllëse të programit “Forume në bashkësi”, të financuar nga Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila ka për qëllim përforcimin e kapaciteteve dhe ngritjen e ndërgjegjes së qytetarëve në vendimmarrjen e komunave.
NAIM RAMADANI
