Maqedoni

Zaev shpalos programin qeveritar, “do të jem kryeministër i të gjithëve”

10.03.2017 17:50

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka shpalosur programin qeveritar, duke premtuar se qeveria e re do të angazhohet për zhvillim ekonomik...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka shpalosur programin qeveritar, duke premtuar se qeveria e re do të angazhohet për zhvillim ekonomik, kthimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe integrimin në NATO dhe BE.
 
Zaev, i cili premtoi se do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim të përcaktimeve të tyre politike, tha se programi qeveritar përmban parimet e programit parazgjedhor të LSDM-së dhe të partive të shumicës parlamentare.
 
“Do të jem kryeministër i të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë se çdonjëri prej jush vlen njësoj pavarësisht nga përcaktimet politike apo ndonjë përcaktim tjetër. Ju premtoj se Maqedonia do të jetë shtet për të gjithë, nuk do të ketë të afërt dhe jo të afërt me pushtetin... Maqedonia do të hapërojë drejtë BE-së dhe NATO-s, me ç’rast do t’i përmbushim të gjitha reformat urgjente të raportit të Pribesë”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev premtoi edhe sistem gjyqësor të pavarur nga politika, si dhe formimin e sektorit special në Gjykatën Penale që do të merret me lëndët e Prokurorisë Speciale. Zaev tha se do të angazhohet në zbardhjen e proceseve gjyqësore nga “Sopoti” e deri te “Kumanova”, si dhe përdorim adekuat të gjuhës shqipe në institucione.
 
“Qeveria e re do të përkushtohet në zbardhjen e plotë të rastit “të Kumanovës” dhe në zbulimin e iniciatorëve. Do të kërkojmë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Gjithashtu do të mbështetet edhe zbardhja e lëndëve “Monstra”, “Sopoti”, “Brodeci”, dhe “Martin Neshkovski”. Nevojitet që të gjithë qytetarëve t’ju mundësojmë komunikim të drejtë me të gjitha institucionet në përputhje me kushtetutën… Do të mbështesim ndryshime ligjore në pajtim me Amendamentin 5 të Kushtetutës, që t’i mundësojmë bashkësisë etnike shqiptare që të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare me të gjitha institucionet shtetërore”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ndërkaq, sa i përket kryetarit të Kuvendit, Zaev tha se nuk është problem që ai të jetë shqiptarë.
 
“Nuk kam kurrfarë paragjykime për përkatësinë etnike të kryetarit të kuvendit. Unë pres kapacitet të kryetarit të ri të  kuvendit, duke e ditur se me çka do të përballet parlamenti në periudhën që pason. Na duhet kryetar i cili do të hap debat dhe të respektojë dallimet midis pozitës dhe opozitës”,- u shpreh Zaev.
 
Bankontat dhe uniformat e ushtrisë, sipas Zaevit, mbesin në një gjuhë. Parashikohet rritja e pagave dhe ndarja transparente e mjeteve deri tek komunat. Për emrin kushtetues do të konsultohen qytetarët, ndërkaq parashikohen edhe reforma në media dhe administratë.
 
Zaev ftoi shumicën parlamentare që ta mbështesin programin, qytetarët të braktisin rrugët, ndërkaq Ivanovin që të konstatojë se ekziston program qeveritar që është në interes të qytetarëve dhe ruan karakterin unitar të shtetit.
 
MERAL ISMAILI