Maqedoni

VMRO-DPMNE: Zaev të refuzojë platformën e Tiranës

10.03.2017 18:14

VMRO-DPMNE e akuzon LSDM-në dhe liderin e saj, Zoran Zaev, se e nënçmon dhe nuk e respekton vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë...

Antonio Milloshovski nga VMRO i bëri thirrje liderit socialdemokrat që të refuzojë atë që e ka quajtur platformë e Tiranës.
 
Platforma sjell dëme për unitetin dhe stabilitetin e shtetit, thotë Milloshovski, i cili kërkoi nga Zaev  që të formojë qeveri të pakicës, apo mbajtje të zgjedhjeve të reja në të cilat do të votohet edhe për platformën.
 
“Zoti Zaev, mos e nënçmoni inteligjencën e popullit të Maqedonisë, dhe nëse dëshironi t’i bindni qytetarët se politika juaj është në dobi të Maqedonisë, vërtetojeni këtë me një fjali të shkurtë dhe të qartë, se e refuzoni platformës e Tiranës si platformë të një shteti të huaj, e cila nuk ka vend në politikat unitare të vendit. Zoti Zaev edhe një herë e dëshmoi se nuk e respekton vullnetin e qytetarëve”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO – DPMNE.
 
VMRO-DPMNE nuk e pranon programin e ri qeveritar të Zoran Zaevit, edhe pse Zaev kishte thënë se nuk do të lejojë ndryshim të Kushtetutës, gjithashtu nuk do të pranojë dygjuhësinë në banknota dhe ndryshim të simboleve shtetërore. 
 
Edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në intervistën për telegrafin serb thotë populli i Maqedonisë mund të ngrihet në këmbë nëse pranohet platforma e Tiranës. E vetmja zgjidhje e cila do të kishte qetësuar zemërimin e qytetarëve, sipas Gruevskit, është që të dëgjohet zëri i tyre. 
 
“Unë shpresoj se udhëheqësia e LSDM-së do ta kuptojë mesazhin dhe do ta dëgjojë popullin. Nëse ata refuzojnë të frikësuar nga shantazhet dhe nëse vendosin për qeverinë e Tiranës në vend të refuzimit të platformës, atëherë askush nuk mund të tregojë se si do të zhvillohet situata”,- thotë kryetari i VMRO-DPMNE-së.
 
Ai shpjegon se “është e vështirë të pritet ndonjë gjë tjetër përveçse protestave të qytetarëve, kur shkoni në kundërshtim me vullnetin e tyre, duke bërë skenare për ridefinim të tërësishëm të shtetit dhe ndryshim të tërësishëm  të konceptit dhe të së kaluarës së tij”. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI