Maqedoni
Administrata publike funksionale, parakusht për qeverisje transparente
10.03.2017 18:42
“Aleanca qytetare për transparencë” është projekti i Fondacionit “Shoqëri e Hapur” dhe “Qendra për strategji europiane"...

“Aleanca qytetare për transparencë” është projekti i Fondacionit “Shoqëri e Hapur” dhe “Qendra për strategji europiane” që ka për detyrë të vëzhgojë procesin e reformave në administratën publike deri në vitin 2021. Por, ky angazhim i OJQ-ve vështirësohet nga vetë administrata shtetërore, e cila gjithnjë e më shumë po mbyllet duke harruar se një ndër obligimet e saj është transparenca. OJQ-të ankohen edhe për presione nga ana e qeverisë.
“Maqedonia, si asnjëherë më parë, ka nevojë për Qeveri të re, e cila do të ketë synim zbatimin e rekomandimeve të Pribesë. Meqë OJQ-të vazhdimisht punojnë për ndryshim të kësaj politike, tanimë një kohë të gjatë përballen me trysni nga Qeveria në ikje, madje edhe institucionet kanë qëndrim jotransparent si ndaj OJQ-ve dhe edhe ndaj popullatës së gjerë”- deklaroi drejtoresha ekzekutive e Fondacionit “Shoqëri e hapur”-Maqedoni, Fani Karanfilova.
“OJQ-të asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të sigurta se punojnë për demokraci të mirëfilltë dhe se kjo duhet të jetë edhe çelësi i Qeverisë së re”,- theksoi Bojan Mariçiq nga Qendra për Strategji Europiane.
Euroambasadori Zhbogar vlerëson se përkrahja e projekteve të tilla do të mundësojë administratë më funksionale, më të afërt për qytetarët.
“Administrata funksionale publike është parakusht për qeverisje transparente dhe efektive. Roli i OJQ-ve është kyç në këtë drejtim dhe politikat e tyre paraqesin çelës të funksionimit të shtetit të së drejtës, i cili mund të arrihet me funksionim adekuat të administratës publike shtetërore”,- u shpreh shefi i misionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Hulumtimi ka treguar se 47% e OJQ-ve nuk janë të informuara se ekziston strategji për reformë të administratës publike, 67% fare nuk e dinë se ka filluar procesi i krijimit të strategjisë së re për reforma në administratën publike.
Vetëm 5% e OJQ-ve kanë qenë të përfshira në procesin e formimit të kësaj strategjie për reforma në administratë, ndërsa 14,5% e OJQ-ve kanë qenë në mënyrë jospecifike të informuar. Projekti i BE-së për administratë publike kap vlerën rreth 330 mijë euro.
REXHEP QAMILI
