NBA

Indiana me fitore të thellë, avancon 1-0 kundër Majamit

19.05.2014 12:33

Indiana Pejsërs dhe Majamit Hit, kanë hapur finalen e konferencës së lindjes, duke paralajmëruar një prej dyluftimeve më të paqarta në sezonin e sivjem në NBA…..

Në reprizën e finales së vitit të kaluar, pejsersat, shfrytëzuan më së miri përparsinë e parketit nikoqir dhe pas ndeshjes së parë, avancuan me 1-0, fal fitores prej 107:96.

Ekipi me bilanc më të mirë në sezonin e rregullt në Lindje, ishte ai që dominoi sfidën fillim e mbarim, duke avancuar një kohë edhe me 19 pikë diferencë, për në fund fitore me 11 pikë dallim. I gjithë ekipi startues i vendasve ishte në nivel, me ç`rast Poll Xhorxh ishte më efikasi me 24 pikë e shtatë asiste.

Dejvid Vest dhe Roj Hibert shtuan nga 19 të tjera, Stifenson kontriboi me 17, ndërsa Xhorxh Hill me 15 poena. Kampionit të dy viteve të fundit, nuk I mjaftuan 52 pikët e kombinuara nga dyshja Vejd-Xhejms, derisa te ata dështoi plotësisht Kris Bosh, me vetëm tetë pikë të shënuara.

Ndeshja e dytë nga seria finale e Lindjes, në program është të martën në mbrëmje, ndërsa sonte në kuadër të plejofit në NBA, do të luhet takimi i parë nga finaleja në konferencën e Perëndimit, ku do të takohen finalistët e dy viteve të fundit, San Antonio dhe Okllahoma.