Botë

Kushtetuesja shkarkon presidenten, tensione dhe dy viktima në Korenë e Jugut

10.03.2017 20:59

Gjykata Kushtetuese e Koresë Jugore formalisht ka shkarkuar nga detyra presidenten, Park Geun-hye, pasi u përfshi në një skandal korruptiv, që e ka zhytur vendin në trazira...

Vendimi unanim i Gjykatës do të thotë se ajo mund të përballet me akuza kriminale. 65-vjeçarja bëhet liderja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike, që largohet nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit.

Koreja e Jugut duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda dy muajsh për të zgjedhur pasardhësin e Park. Ajo vazhdimisht ka kërkuar falje për skandalin, por ka mohuar se ka kryer ndonjë krim. Vendimi i Gjykatës ka shkaktuar përplasjet e para mes mbështetësve të presidentes dhe policisë, duke shkaktuar dy të vdekur.

Rreth 20 mijë agjentë janë mobilizuar për të mbrojtur personelin e Gjykatës, por dhe në pikat më kyçe të Seulit. Po kështu ushtria e Koresë së Jugut ka përforcuar monitorimin e kufirit me Korenë e Veriut nga frika për ndonjë provokim të mundshëm pas largimit nga presidenca e Park Geun-hyes.