Kulturë

Mbahen takimet XXV poetike të Karadakut

12.03.2017 17:35

Në Kumanovë u mbajt edicioni i 25-të me radhë i manifestimit kulturor tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”...

Në Kumanovë u mbajt edicioni i 25-të me radhë i manifestimit kulturor tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”, me pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare.
 
Për takimet e sivjeme jubilare, foli Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Sevdail Demiri, kurse këtë manifestim kulturor e përshëndetën zv. Kryeministri për eurointegrime Arbër Ademi  dhe sekretari shtetëror i ministrisë së kulturës Behixhudin Shehapi.
 
“Gjatë këtij çerekshekulli, me vulën e këtij klubi janë botuar mëse 60 vepra letrare dhe mbi 50 numra të revistës “Doruntina”, të cilët përbëjnë një shtresë mjaft të pasur kulturore të kësaj ane“, tha Sevdail Demiri.
 
“Ju me secilën vepër tuajën, gjithashtu kontribuoni në avancimin e kulturës sonë dhe ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është kjo për çdo popull dhe për trashëgiminë kulturore të tij. për më tepër, me krijimtarinë tuaj ju jeni ambasadorët tanë në botë, për arsye se fjala e bukur e shkruar nuk njeh kufij dhe dëgjohet gjerësisht”, shprehet zv. Kryeministri zv. kryeministër.
 
“Unë këtu në Kumanovë cdo herë ndjehem krenar sepse cdo herë Kumanova dhe Kumanovarët kan ditur ta mbajnë kondicionin për patriotizëm, krijimtari e letërsi dhe për humanitet në vecanti” tha Behixhudin Shehapi.
 
Pas paraqitjes së mbi 30 poetëve në orën e madhe letrare, juria e përbërë nga Arsim Halili, Burhanedin Xhemaili dhe Arben Rashkaj, përzgjodhi poezitë më të sukseshme, të cilëve iu nda Çmimi letrar “Fadil Bekteshi”.
 
Kështu, poetja Lindita Ramushi-Dushku u shpërblye me vendin e parë, Lola Shehi me vendin e dytë, kurse vendi i tretë u nda në mes poetëve Selajdin Shabani dhe Adriatik Zeqiri.   
 
NEXHAT AQIFI