Botë
Mitingjet turke, udhëheqësit europianë tregojnë “dhëmbët”
13.03.2017 11:31
Disa udhëheqës europianë kanë kritikuar Turqinë në kuadër të kontradiktës që pasoi përpjekjet e qeverisë turke për të zhvilluar mitingje në vendet europiane...

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan akuzoi Gjermaninë dhe Holandën si vende naziste, pasi ato bllokuan përpjekjet turke. Kryeministri holandez, Mark Rutte tha se komentet e Erdoganit ishin të papranueshme, pasi nuk mund të akuzohet si nazist një vend që u bombardua nga nazistët në luftë.
Rutte shtoi se, nëse Turqia vazhdon në rrugën e saj, Holanda do të konsiderojë edhe përgjigjen. Në të njëjtin kuadër, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel tha se shpreson që Turqia të ndryshojë qëndrim, ndërsa kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen shtyu një takim të planifikuar me Erdoganin, pasi u shpreh se parimet e demokracisë janë të kërcënuara në Turqi.
Rasmussen shtoi se e shtyu takimin, sepse ai nuk mund të zhvillohej i ndarë nga situata e krijuar pas sulmeve verbale turke ndaj Holandës. Qëllimi i mitingjeve të organizuara nga qeveria turke ishte që të nxisnin turqit që jetojnë në Europë, që të votojnë për të mbështetur referendumin që zgjeron fuqitë e presidentit.
Por mitingjet e planifikuara në Gjermani, Austri dhe Holandë u ndaluan nga autoritetet vendase, që e justifikuan këtë me shqetësimet për sigurinë dhe rritjen e tensioneve. Megjithatë, ministri gjerman i Brendshëm, Thomas de Maiziere u tregua mjaft i qartë dhe tha se fushata zgjedhore turke nuk mund të bëhet në Gjermani.
Me referendumin e 16 prillit, Turqia do të vendosë nëse do të kthehet në një Republikë Presidenciale duke i dhënë Erdoganit superfuqi. Miliona turq jetojnë jashtë vendit dhe qeveria kërkon që të marrë votat e tyre. Por duket se Ankaraja nuk kishte llogaritur reagimin e vendeve perëndimore, që ndaluan mitingjet, gjë që zemëroi tej mase presidentin Erdogan./Top Channel
