Botë
UNICEF: 2016-ta, viti më i keq për fëmijët në Siri
13.03.2017 13:44
Dy ditë para përvjetorit të gjashtë të Luftës Civile në Siri, UNICEF publikoi raportin i cili flet për 300,000 të vrarë dhe miliona të tjerë të zhvendosur nga luftimet...

Dy ditë para përvjetorit të gjashtë të Luftës Civile në Siri, UNICEF publikoi raportin i cili flet për 300,000 të vrarë dhe miliona të tjerë të zhvendosur nga luftimet, të cilat kanë krijuar krizën më të madhe me migrantë në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, alarmin UNICEF-i e jep për “fëmijët e luftës”.
“Rastet e verifikuara të të vrarëve, të gjymtimit dhe të rekrutimit të fëmijëve janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar, në një përshkallëzim drastik të dhunës në vend”,- thuhet në raportin e Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara.
Miliona fëmijë në Siri sulmohen në baza ditore. Sipas raportit, 652 fëmijët e vrarë vitin e kaluar paraqesin rritje për 20% të viktimave fëmijë, krahasuar me vitin 2015. Raporti bën të ditur se së paku 255 fëmijë janë vrarë në ose pranë shkollave.
Shumë nga fëmijët janë vrarë direkt nga konflikti, por shumë të tjerë kanë vdekur për shkak të mungesës së qasjes te mjekët dhe shërbimet bazike, thuhet në raport. UNICEF-i ka verifikuar 850 raste të fëmijëve që janë rekrutuar për të luftuar në konflikt, gati dyfish më shumë se në vitin 2015.
UNICEF-i paralajmëron se shërbimet sociale dhe mjekësore vazhdojnë të përkeqësohen, duke detyruar shumë fëmijë “të punojnë, të martohen herët, ose të luftojnë”.
Dhjetëra janë duke vdekur nga sëmundje të parandalueshme, thuhet në raport. Së paku 6 milionë fëmijë mbështeten në ndihma humanitare, 2.3 milionë të tjerë janë refugjatë në Turqi, Liban, Jordani, Egjipt dhe Irak. Rreth 280,000, ndërkaq, jetojnë nën rrethim, pa asnjë ndihmë humanitare, thotë raporti i UNICEF-it.
LEUNORA KALIQI
