Botë
Haiti, autobusi përplaset me turmën, 38 të vdekur, policia në kërkim të shoferit
13.03.2017 14:02
Të paktën 38 persona mbetën të vdekur dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë përplasjes së një autobusi, në një paradë të këmbësorëve, në qytetin Gonaives, në veri të Haitit...

Incidenti ndodhi derisa autobusi po udhëtonte për në Port o Prince, kur fillimisht goditi tre persona, e më pas, duke u munduar të mbajë kontroll për t’iu shmangur aksidentit, u përplas në turmën e njerëzve, raportuan autoritetet.
"Ne kemi regjistruar 34 persona në kohën kur ka ndodhur aksidenti. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe katër nga ata kanë vdekur më pas. Kjo është gjithçka që mund të themi për sot, 38 persona kanë vdekur. Trupat e tyre janë dërguar në morgje të ndryshme në qytet. Shoferi është zhdukur. Nuk kemi informacione për të, presim që drejtuesit e kompanisë së autobusit të na japin më shumë të dhëna rreth tij”,- deklaroi zyrtari policor, Edmond Presnert.
Policia mori në pyetje udhëtarët e automjetit, ndërsa më pas ata u liruan, derisa shoferi i autobusit është zhdukur. Banorët lokalë flasin se në mesin e viktimave kishte prindër dhe fëmijë.
"Njerëzit që kanë vdekur kanë lënë pas vetes fëmijët e tyre. Djali i motrës dhe djali i vëllait më vdiqën në këtë aksident. Aty ka shumë të vdekur”,- u shpreh një banor.
“Më dhemb këmba, asgjë tjetër, vetëm këmba”,- theksoi një banore.
Parada Rara zakonisht zhvillohet gjatë periudhës afër Pashkëve, ku mblidhen grupe të muzikantëve të cilët luajnë në instrumente tradicionale. Rrugët haitiane janë të rrezikshme dhe kaotike, me shumë pak rregulla për këmbësorë, motoçikleta dhe vetura.
Shoferët e përfshirë në incidente të tilla shpesh lëshojnë vendin e ngjarjes të frikësuar se mund të vriten nga turma e njerëzve. Presidenti i vendit bëri thirrje për zbardhjen e plote të rastit.
LEUNORA KALIQI
